Rrethi i 81-të Çiklistik, serbi Duriç fiton Etapën 1! Sot raundi Korçë-Elbasan
Edicioni i 81-të i Rrethit Çiklistik të Shqipërisë ka zhvilluar dje ditën e parë të aktivitetit.
Evenimenti më i rëndësishëm i vitit për sportin e çiklizmit në Shqipëri pa të konkurronin 76 sportistë nga 13 skuadra Kombëtare dhe Klube si: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Alfa Cycling Team (Greqi), ARBÖ MiKo PV ON-Fahrrad (Austri), Hemus Troyan (Bullgari), Kamen Pazin (Kroaci), Ioanninon (Greqi), Wielerploeg Groot Amsterdam (Holandë), Tirana Cycling Team, Schils – Doltcini (Britani e Madhe). Gjithçka ka nisur me prezantimin tradicional të ekipeve në Sheshin Skënderbej në Tiranë, për t’ia lënë më pas vend në mesditë startit të garës së parë, etapës Tiranë-Korçë, me distancë 158.4 km.
Pas një gare interesante dhe të luftuar, ishte serbi Dorde Duriç ai që dominoi në etapën e parë, duke marrë një triumf bindës dhe me diferencë nga kundërshtarët. Duriç mbërriti i pari në finish, duke e ndalur kronometrin në kohën 4 orë, 3 minuta dhe 13 sekonda, për të lënë pas me 52 sekonda bashkëkombësin e tij Marko Stankoviç të skuadrës Hemus Troyan. Ndërsa podiumi u plotësua nga gjermani Lennard Sternsdorff i ekipit ARBÖ MiKo, i cili u klasifikua në vend të tretë me diferencë kohore +1:53 nga kreu. Më tej, me diferencë 3:05 nga kreu, mbërriti në finish një grup prej 12 garuesish, mes tyre edhe çiklisti bjellorus i Tiranës, Dzmiry Prudnikau, i renditur i dhjeti, si dhe Lukas Sulaj Kloppenborg i Kombëtares Shqiptare, i cili u klasifikua i 14-ti.
Flavio Venomi u rendit në vend të 17- të me 3:10 sekonda nga kreu, ndërsa me të njëjtën kohë Olsian Velia u rendit i 19-ti, duke lënë pas një tjetër Kuqezi, Meteo Balajn me kohën 3:13 nga kreu. Në fund të garës u mbajt edhe ceremonia e vlerësimit për fituesit, me presidentin e FSHÇ-së, Skënder Anxhaku, që i dhuroi fanellën e verdhë serbit Dorde Duriç. Sot do të jetë radha e etapës së dytë, Korçë-Elbasan, e karakterit fushor me distancë 151.4 km. Kujtojmë se Rrethit Çiklistik të Shqipërisë prej disa vitesh është pjesë e kalendarit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI).
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"