Rrethi Çiklistik/ Sefa lëshon fanellën e verdhë, sot gara e fundit (TABELAT E PLOTA)
Rrethi i 79-të Çiklistik vijon me garat, teksa ditën e djeshme është zhvilluar etapa e katërt me itinerar Vlorë-Gjirokastër (130.8 km).
Ashtu sikurse në garat paraardhëse, edhe etapa e djeshme dhuroi rivalitet dhe emocione, por nuk pati një fund të mirë për çiklistin e ekipit tonë kombëtar Ylber Sefa, i cili pasi kishte mbajtur fanellën e verdhë të liderit në të gjitha garat, e dorëzon atë në ditën e parafundit të aktivitetit.
Lideri i ri i Rrethit të 79-të Çiklistik të Shqipërisë tashmë është rumuni Cristian Raileanu, i cili arriti të rikuperonte mbi 20 sekonda kundrejt Sefës në kilometrat e fundit të garës, duke e zbritur nga froni çiklistin kuqezi.
Tashmë Raileanu kryeson renditjen e përgjithshme me kohën 13:41:25, ndjekur nga çiklistët e Kombëtares sonë Ylber Sefa dhe Mikel Demiri, të cilat kanë kohë të njëjtë 13:41:45, pra 20 sekonda më shumë se kundërshtari rumun që garon për skuadrën CSA Steaua.
Ndërkohë, për sa i përket etapës së djeshme, fituesi i saj u shpall bullgari Lachezar Angelov, i cili garon për skuadrën Hemus1986. Angelov regjistroi kohën 2:59:33, duke marrë edhe bonusin prej 10 sekondash.
Në vend të dytë u klasifikua holandezi Antonie Van Noppen me kohë 2:59:35, ndërsa podiumin e plotësoi rumuni Raileanu, po me kohën 2:59:35.
Në fund u zhvillua edhe ceremonia për fituesit, në të cilën ishte i pranishëm gjithashtu edhe sekretari i KOKSH, Gerti Shima.
Turi i Shqipërisë do të vijojë sot me etapën e pestë, që është edhe e fundit, me itinerar GjirokastërVlorë-Fier, ku dhe do të shpallen edhe fituesit e këtij edicioni.
Kujtojmë se Rrethi Çiklistik i Shqipërisë është për herë të katërt pjesë e kalendarit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI).
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"