Rrëfehet Ramadan Shehu: Kukësi në rrugën e duhur, Shameti një luftëtar
Ramadan Shehu, drejtori teknik i Kukësit, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka treguar për fitoren e arritur ndaj Partizanit, gjendjen në grup, si edhe ekipet që ai sheh pretendente. Sipas tij, ky Kukës është në rrugë të mbarë, ndërsa shton se nga Komisioni i Disiplinës në FSHF priste më shumë.
Është përfolur se Kukësi fiton vetëm me ekipet e vogla, ndërsa ndaj Partizanit bëtë një ndeshje spektakolare. Çfarë mendoni?
Për të qenë realist, ekipet pretendente janë ato të katërta që ne i dimë dhe kemi folur gjithmonë, pra katër të parat që kryesojnë. Pashku (e ka fjalën për presidentin e Laçit) që po ngjitet, ndërsa të tjerat janë “shto ujë e shto miell”. Kjo fitore na inkurajon, se nëse do kishte ndodhur e kundërta, nuk do të ishim shumë mirë. Edhe pse në lojë ka dhe shumë pikë, e kemi thënë se filozofia jonë është t’i marrim ndeshjet një e nga një. Ne nuk bëjmë presion, as nuk qahemi për mungesat. E kemi treguar veten me këdo, jo vetëm me të voglat.
Ju si drejtues teknik, si e vlerësoni gjendjen e lojtarëve?
Së pari, atmosfera është e mirë dhe shumë pozitive, ndërsa nuk duhet të ketë eufori brenda. Sa i përket lojtarëve, Ylli Shameti është një tendinë e fortë e jona, një luftëtar në fushën e lojës dhe shumë i zoti. Ai tashmë është në listën e titullarëve dhe firmos vetë. Gjithashtu dhe Pero Pejiç ka ngritje në lojën e tij. Në ndeshjen me Partizanin, një paraqitje pozitive bëri edhe braziliani Marsinjo Pit, i cili e justifikoi më së miri besimin. Besoj se dhe të tjerët do të rikuperohen.
Në ndeshjen me Laçin u godit Smajli dhe pas kësaj daljeje ju pësuat golin e dytë, por dhe loja juaj pësoi çrregullim…
Ndeshja ndaj Laçit është një përjashtim, pasi ishte një ndeshje që nuk u gjykua drejt. Kjo për faktin se ndaj bardhezinjve kemi të bëjmë me pretendime nga pikëpamja teknike, pavarësisht se si e kanë gjykuar në Apel se do të jetë. Pra, është një gjë që nuk ka përfunduar, do të jetë në gjykim.
Mendoni se ka pasur komplot apo aleanca në Laç kundër jush?
Nuk mund ta akuzojmë Laçin për punë aleancash, pasi ata luajtën për veten e tyre. Ne po flasim për zhvillimin e lojës, pasi ne kishim ankesa karshi arbitrit. Po të shikosh lojën, ka pasur një penallti 70 me 30, u anashkalua e verdha e dytë e Micit, ndërsa doli jashtë edhe Smajli, çka na prishi një strukturë. Këto janë gjëra që ne i kemi kaluar dhe ka kush merret, pra Komisioni i Apelit.
Po kthimin e Smajlit e prisnit?
Patjetër! Smajli është një lojtar luftëtar, shumë i mirë. Ashtu siç e thashë edhe më lart, ne kemi shumë lojtarë shtylla të ekipit si: Smajlin, Pejiçin, Dushkun, Malotën, Hallaçin etj. Ai tregoi karakterin e vet, luajti dhe u rikthye.
Mendoni se ekipi është në rrugën e duhur?
Mendoj se deri më tani skuadra është në rrugën e duhur.
Po gjendja në ekip si është, marrëdhëniet, harmonia, problemet nëse ka etj?
Ne jemi një skuadër që kemi unitet dhe kjo është forca dhe sekreti ynë. E vlerësoj shumë përballjen ndaj Partizanit sepse ishte një ndeshje model dhe fitoi futbolli. Fitoi futbolli i pastër, jo ai me ato koret e shëmtuara duke sharë njërën palë apo tjetrën palë. Por, dhe gjykimi ishte korrekt.
Domethënë mbetët të kënaqur nga tifozëria?
Po. Edhe pse pati mbi 6 mijë spektatorë, ata kanë treguar qytetari. Të dyja tifozëritë kanë qenë model, pa sharje, ofendime apo kore. Kjo është një gjë pozitive dhe për mua ishte një fitore e madhe. Kjo është rruga në të cilën duhet të ecin tifozët dhe futbolli, pastaj aty në fushë le të fitojë skuadra më e mirë.
Jeni i kënaqur nga vendimet që janë marrë nga FSHF-ja për ju?
Me thënë të drejtën, unë prisja më shumë, flas nga ana teknike, sepse i vlente futbollit. Në atë ndeshje, largimi i Smajlit influencoi direkt në rezultat, prishi gjithë strukturën e lojës.
Po paraqitja dhe zgjedhjet e trajnerit si ju janë dukur?
Unë e kam thënë edhe më parë, ne veprojmë si një trup. Kemi një staf, që nga trajneri i parë që ka timonin dhe mban përgjegjësinë më të madhe. Mirëpo s’duhet të harrojmë Dalipin apo Billën që bëjnë një punë shumë të madhe. Gjithashtu edhe menaxheri brazilian Troisi duhet vlerësuar sepse ndihmon me brazilianët. Ne jemi në rrugë të drejtë të gjithë si klub dhe ne si drejtori teknike jemi në mbështetje të skuadrës.













