Rodriges i frikësohet krizës te Apolonia, bën 10 minuta moral para skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2023 | 19:21

Rodriges i frikësohet krizës te Apolonia, bën 10 minuta moral para skuadrës

Apolonia ka “arkivuar” barazimin me Kastriotin dhe është përqendruar te Vora. Kanë dy javë që nuk fitojnë dot, kërkohet me çdo kusht kthesa. E megjithatë, Jeraj Rodriges ka një frikë. Domosdoshmëria e pikëve mund të fusë në presion grupin.

rodriges

Për të evituar ndonjë ngërç psikologjik, trajneri ka bërë një mbledhje me të tijtë. Për gati 10 minuta ka komunikuar me ta. Përpara nisjes së seancës së djeshme stërvitore është përpjekur t’i qetësojë emocionalisht dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar që të rritet vigjilenca.

“Ndeshja me Kastriotin është një kapitull i mbyllur. Duhet ta lëmë menjëherë pas krahëve atë barazim. Mendoj se duhet t’i gëzohemi vetëm pikës së marrë, në atë transfertë shumë të vështirë dhe më e rëndësishmja ajo pikë duhet të na bëjë të shpresojmë e të besojmë më shumë që i kemi mundësitë të rikthehemi sa më shpejt te fitorja e munguar në kampionat. Nuk kemi arsye pse të ngarkojmë edhe më shumë veten përpara një ndeshjeje të rëndësishme e të vështirë, siç është ajo ndaj Vorës në stadiumin ‘Loni Papuçiu’.

Dua të përqendroheni vetëm te kjo sfidë, në mënyrë që fazën e parë ta përmbyllim siç duhet. Unë jam plotësisht i bindur se kemi për t’ia dalë mbanë dhe se loja jonë e zhvilluar më së miri është garanci dhe siguri më vete. Nuk kemi marrë asnjë pikë rastësisht, por falë një loje shumë të rrjedhshme, prandaj le të mbajmë këtë ritëm loje dhe të tregojmë se ne dimë të bëjmë shumëçka.

Luajmë në fushën tonë dhe përballë tifozëve tanë entuziastë e të mrekullueshëm. Do të kemi mbështetjen e tyre për të kaluar këtë moment. Ndaj duhet të jemi të qetë dhe të luajmë futboll të bukur siç kemi bërë ndeshje pas ndeshjeje”, këto u ka thënë pak e shumë lojtarëve tekniku spanjoll. Pas këtij fjalimi, skuadra ka vijuar përgatitjet dhe me ngarkesë të plotë. Taktika dhe shpjegimet në fushë nga vetë trajneri kanë zënë një vend të rëndësishëm. Punuan me të dyja fazat e lojës, për të riparuar diçka në sulm dhe mbrojtje.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"