Risi te Kukësi, tani do të kenë edhe ekip femrash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2013 | 12:31

Risi te Kukësi, tani do të kenë edhe ekip femrash

Gjici SafetKukësi do të ketë shumë shpejt ekipin e futbollit të vajzave. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga presidenti Safet Gjici, i cili ka autorizuar për fillimin e procedurave për regjistrimin në federatë. Surpriza vjen këtë herë nga Suhareka e Kosovës, pasi klubi i futbollit të femrave të këtij qyteti ka marrë vendim unanim për të luajtur për ngjyrat e Kukësit, por sigurisht që nuk do të mungojnë as vajzat nga Kukësi, që luajnë në futboll me ekipet e tjera, ose që janë stërvitur pranë ekipeve zinxhirë të Kukësit. “Do të krijojmë dhe mbështesim maksimalisht ekipin e femrave të Kukësit, ashtu siç kemi bërë dhe me djemtë, për të qenë në rrugën e suksesit. Ekipi do të ketë gjithë mbështetjen time si president dhe vajzat do kenë gjithë kushtet për stërvitje dhe lojë. Ardhja e vajzave nga Kosova është një respekt për klubin tonë. Unë u bëj thirrje të gjitha vajzave nga Kukësi, Hasi e Tropoja që kanë pasion për të luajtur futboll, të vijnë menjëherë pranë klubit tonë se nuk do zhgënjehen”, – ka thënë fillimisht Gjici. Presidenti ka hyrë në bisedime dhe me kreun e FSHF-së, për miratimin e kësaj nisme. “Kam biseduar me presidentin Duka dhe ne që sot do të nisim procedurat e regjistrimit në federatë. Duam që të jemi pjesëmarrës nën fazën e dytë që nis në shkurt në kampionatin e femrave, pse jo dhe në Kupën e Republikës që nis më 11 janar. Keni për të parë një ekip fantastik, ashtu si ekipi i djemve. Unë dua shumë shpejt rezultate”, – përfundoi presidenti. Sipas të dhënave të para, ekipi do të stërvitet tri ditë në Suharekë dhe tri në Kukës. Trajneri Sejdi Bajraktari ka premtuar se me kontigjentin e vajzave që ka në dispozicion dhe me afrimet që do bëhen prej vajzave kuksiane, suksesi do të jetë që në debutim. Dje në takim me Gjicin kanë qenë edhe mbrojtësja Arbiona Bajraktari e kërkuar nga kombëtarja jonë, por dhe protierja Ardita Guraziu dhe lojtarja Liridona Musaj. Nga Kukësi të stërvitura si futbolliste janë Sava Sallahu dhe Afërdita Elezi që luan te Tirana. Klubi do t’i pajisë vajzat brenda tri ditëve me gjithë bazën materiale.

Bratiç siguron: Nuk ndalemi më
Davor Bratiç siguron se Kukësi nuk do të ndalet më. “Këtu te Kukësi gjithçka duket se ka hyrë në rrugë të mbarë. Unë ndihem shumë mirë dhe po e gjej veten në këtë ekip të ri. Nuk mund të bëj dallime me Vlorën, pasi kam pak që kam ardhur, por te tifozëria duket dallimi, këtu janë shumë më miqësorë dhe të duan. Unë pak kam luajtur, por sërish tifozët më mbështesin. Në Vlorë kishte një mentalitet tjetër, por dhe atje më kanë përkrahur jashtë mase dhe unë kam shumë miq në Vlorë. Kthesa te Kukësi erdhi, nuk do të gabojmë më. Pas dy fitoreve, tashmë synojmë të thyejmë edhe Lushnjën”, – tha Bratiç për “Panorama Sport”.
Jonuz Hallaçi