Riorganizohet Erzeni, ja trajneri që merr përsipër drejtimin e ekipit
Erzeni i Shijakut ka nisur riorganizimin e skuadrës pas largimit të thuajse gjithë grupit të sezonit të kaluar, përfshi edhe stafin teknik. Ish-sulmuesi i njohur shijakas, Justin Bespalla, është emëruar tashmë në krye të pankinës së Erzenit.
Për trajnerin 45-vjeçar është një rikthim në ekipin e parë, pasi ka qenë afër tij edhe në ditët më të vështira, kur ka qenë pjesë e Kategorisë së Dytë. Pas dakordësisë së bashkisë Shijak dhe shoqatës së klubit Erzeni për buxhetin që do të ketë në dispozicion të skuadrës këtë sezon në Kategorinë e Parë, menjëherë drejtuesit i besuan Justin Bespallës ringritjen e ekipit. Duke njohur mirë edhe situatën në klub, por mbi të gjitha akademinë e klubit shijakas, Bespalla prej disa ditësh ka nisur stërvitjen me një grup të rinj lojtarësh, që mendohet se do të jenë baza e skuadrës së këtij sezoni.
“E vërteta është që kam marrë përsipër të drejtoj Erzenin pas dakordësisë mes drejtuesve për të ardhmen e ekipit. Prej disa ditësh po stërvitemi në stadiumin e Shijakut. Përveç të rinjve që kam në dispozicion, di të them që do të na afrohen lojtarë me eksperiencë në ditët e ardhshme për të përballuar sa më mirë kampionatin e Kategorisë së Parë”, ka thënë Bespalla për gazetën.
Për të tretin sezon radhazi, dy prej të cilëve si pjesë e elitës së futbollit shqiptar, Erzeni organizohet në momentet e fundit, por tashmë do të jetë në Kategorinë e Parë. Ky kampionat nis më 24 gusht dhe shijakasit janë në luftë me kohën për të ndërtuar skuadrën, e cila është e detyruar të ribëhet, sepse janë larguar të gjithë lojtarët e sezonit të kaluar.
Bëhet fjalë për plot 19 të tillë, duke filluar nga portierët Dashamir Xhika e Klevis Hasanbelli, e pastaj me radhë emra si Nehar Sadiki, Alesandro Kacbufi, Bekim Maliqi, Amir Kahrimanoviç, Donald Mëllugja, Festim Alidema, Jounes Marzuk, Rodrigo Migone, Andrei Alba, Ardit Peposhi, Auron Ademi, Anteo Osmanllari, Florjan Kadriu, Redon Mihana, Arlind Dakaj, Emanullah Blazeviç dhe Agim Zeka. Drejtuesit e klubit po punojnë të zgjidhin sa më shpejt edhe çështjen e federimeve, pasi merkatoja rezulton e bllokuar nga FIFA për shkak të një detyrimi të mbartur ndaj një ish-lojtari që ka fituar gjyqin. Në javën e parë të kampionatit shijakasit do të luajnë kundër Kukësit.
E. DERVISHI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"