Rinovimet e kontratave/ Barcelona “harron” De Jong, nxiton me Pedrin
Situata duket se është përmbysur te Barcelona sa i përket rinovimeve. Deri dje ishin Arauho dhe De Jong emrat më të përfolur dhe për të cilët klubi katalanas po nxitonte të mbyllte sa më shpejt rinovimet. Me Arauhon situata nuk ka ndryshuar dhe objektivi i Barcelonës mbetet rinovimi me të.
Edhe vetë mbrojtësi duket se është bindur nga projekti i ri i klubit dhe nuk po mendon të lëvizë. Për De Jongun, situata është më ndryshe tashmë, teksa një emër i ri ka zënë vend në listën e prioriteteve për rinovim. Ai është Pedri Gonzalez, i cili ndeshje pas ndeshje po shfaqet edhe më mirë, duke shtyrë klubin të nxitojë me të.
DE JONG – Duke parë qëndrimin e lojtarit, Barcelona nuk po ngutet më për të rinovuar me holandezin. Drejtori Deko nuk ka shkelur pedalin e gazit në kërkim të një përgjigjeje nga lojtari. Ai ka edhe dy vite në kontratën e tij dhe ka kohë.
Por ndryshe nga pak muaj më parë, siç bën me dije “Marca”, tani nuk ka më urgjencë që holandezi të rinovojë, sepse skenari ka ndryshuar ndjeshëm muajt e fundit. Me shfaqjen e disa lojtarëve nga akademia si Kasado, Fermin Lopez, Bernal, të cilët kanë përforcuar mesfushën, De Jong nuk shihet më i padiskutueshëm. Për më tepër që të rinjve në fjalë duhet t’u shtojmë tre figura kryesore si Pedri, Gavi dhe Dani Olmo.
PEDRI – Pikërisht Pedri është bërë pika kryesore e diskutimeve. Klubi katalanas dëshiron të rinovojë sa më shpejt të jetë e mundur me të. Bisedimet sipas “Mundo Deportivos” po ecin ngadalë, por pozitivisht që lë të kuptohet se nuk do të ketë probleme dhe se gjërat mund të mbyllen shpejt.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"