Rikthimi i Qefalisë, lajm i madh për Dinamon para sfidës me Elbasanin
Dinamo vijon përgatitjet për javën e katërt të kampionatit, ku skuadra e Ilir Dajës do të përballet në transfertë me Elbasanin.
Ndonëse luhet në “Elbasan Arena”, fusha është gjithashtu një shtëpi pritëse për blutë e kryeqytetit, por verdheblutë pritet të kenë mbështetjen e madhe të tifozëve të tyre. Pauza e kampionatit i shërben Dinamos për të zhvilluar sot një ndeshje miqësore. Në kompleksin e tyre në Arbanë, në orën 17:00, blutë presin Kukësin, një test i vlefshëm për të mbajtur ritmin dhe për të provuar skema të reja loje.
Përveç kësaj, ndërprerja i shërben trajnerit Daja për të rikuperuar futbollistët e dëmtuar dhe për të përmirësuar gjendjen fizike të mbrojtësit portugez Teikseira, i cili sapo është bashkuar me skuadrën. Ende mbetet për t’u parë nëse ai do të marrë minuta sot kundër verilindorëve. Megjithatë, lajmi më i mirë për Dinamon është rikthimi në stërvitje i mesfushorit Klevi Qefalija. 23-vjeçari ka kohën e duhur për të qenë plotësisht gati në sfidën e radhës ndaj Elbasanit, duke forcuar ndjeshëm mesfushën dinamovite.
Në këto kushte, i vetmi mungues i sigurt për sfidën me verdheblutë është kapiteni Bruno Dita, i cili vijon fazën e riaftësimit pas dëmtimit të pësuar para ndeshjes me Jagiellonian në “play off”-in e Ligës së Konferencës. Përballja Elbasani-Dinamo shihet si busull orientimi për të dyja ekipet, që në këtë sezon kanë hyrë me ambicie dhe objektiva madhor.
PANORAMASPORT.AL













