Rikthimi i Grudës “ngroh” Vllazninë, Stojanoviç në stol/ Ja situata te Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2024 | 23:07

Rikthimi i Grudës “ngroh” Vllazninë, Stojanoviç në stol/ Ja situata te Vllaznia

Kur kanë mbetur vetëm dy javë nga nisja e sezonit të ri, ekipi i Vllaznisë është në përgatitjet e fundit, ku përveç stërvitjeve të përditshme po zhvillon edhe ndeshje miqësore. E fundit ishte ajo me Teutën në stadiumin “Loro Boriçi”, që përfundoi në barazim 3-3.

vllaznia stervitje

Rezultati në të tilla raste është në plan të dytë, ajo që ka rëndësi është loja dhe kuqeblutë duhet theksuar se treguan një nivel të kënaqshëm, edhe pse u pësuan tre gola. Ekipi i trajnerit Tomas Brdariç u duk me një ritëm tjetër më të lartë në krahasim me miqësoren e mëparshme me Burrelin.

GRUDA – Përpos kësaj, ajo që e gëzon më shumë stafin teknik të kuqebluve është kompletimi thuajse total i skuadrës. Të gjithë lojtarët që kanë pasur probleme fizike, duket se i kanë lënë pas. Në miqësoren kundër Burrelit u kthye në fushën e lojës pas thuajse një viti mungesë, Flori Spahija. Mbrojtësi i majtë tashmë po fiton ritmin dalëngadalë dhe mund të jetë një opsion edhe për të luajtur si titullar në kampionat.

Një tjetër lojtar i rikthyer në miqësoren ndaj Teutës, madje me gol, ishte sulmuesi Ildi Gruda, i cili vuante një dëmtim që nga fundi i sezonit të shkuar dhe i mungoi Vllaznisë në ndeshjet europiane. Tashmë Gruda ka lënë pas gjithçka dhe rikthimi i tij e qetëson jo pak trajnerin Brdariç, duke ditur se shkodranët kanë pak alternativa për sulmin. Jo më kot janë ende në merkato për të gjetur një tjetër sulmues para se të nisë sezoni i ri.

BAJRAMI – I vetmi që mungon te Vllaznia është Melos Bajrami. Mbrojtësi kosovar vuan një dëmtim që para ndeshjes së kthimit kundër Valurit në Ligën e Konferencës dhe kërkon edhe pak kohë që të rikuperohet. Me shumë mundësi, ai do të jetë gati për trajnerin gjerman pas javëve të para të kampionatit që nis më 18 gusht.

Situata aktuale e skuadrës e gëzon stafin teknik, që ka opsione dhe mund të zgjedhë për formacionin. Duhet theksuar se Brdariç po preferon lojtarët që tregojnë më të mirën në fushë, duke mos gjykuar nga emri, apo nga fakti se janë konsideruar afrime të rëndësishme të merkatos. Në miqësoren e fundit u pa që Deliu dhe Qato e filluan si zëvendësues, ndoshta një mesazh ky për të gjithë.

STOJANOVIÇ – Një tjetër lojtar, i cili rinovoi me Vllazninë për të qenë titullar, qendërmbrojtësi Milosh Stojanoviç, për herë të dytë i nis miqësoret si zëvendësues. Në këtë zgjedhje mund të ketë ndikuar ndoshta edhe paraqitja jo e mirë e lojtarit në ndeshjen e kthimit me Valurin, ku Vllaznia u mund thellë, 0-4, duke u eliminuar nga Kupat e Europës. Në fakt, shkodranët duket se kanë alternativa të mira dhe në stol në disa reparte.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"