Rikthehet dhuna/ Lojtarë dhe prindër, plas sherri në Kamzë. Ja çfarë ndodhi
Rikthehet dhuna në ndeshjet e moshave. Këtë herë janë dy takimet për kampionatin U-17, pikërisht Akademia e Futbollit– Vora dhe Flamurtari-Besa, ku ka patur dy histori të ndryshme. Në të parën ishin prindërit që lanë hesapet pas përfundimit të takimit, ndërsa në Vlorë plasi grushti në fushë mes futbollistëve të të dyja skuadrave. “Panorama Sport” ju sjell me detaje atë që ndodhi në të dyja ndeshjet.
KAOSI NË KAMZË
Superndeshja e Grupit B mes Akademisë dhe Vorës ka sjellë një lojë mjaft të luftuar, por ka pasur edhe tensione si brenda fushës ashtu dhe jashtë saj. Në minutën e 20-të Andrea Saraçi shënon pas një depërtimi në zonë. Skuadra vorake vihet në kërkim të barazimit, por atë e gjen në fraksionin e dytë me anë të goleadorit të saj, Sajdi Thana, pas një shpërthimi mjaft të bukur. Barazimi ka tensionuar skuadrat, të cilat kërkojnë fitoren. Vorakët do të luajnë me 10 lojtarë në 17 minutat e fundit, sepse mbrojtësi Dani merr kartonin e dytë të verdhë.
Goli i fitores për Akademinë do të vijë vetëm në kohën shtesë, madje në limitin e saj. Skuadra e Sokol Bulkut do të marrë triumfin falë një goli me kokë nga Mal Januzi, por që ngjalli shumë polemika për shkak të pretendimeve të Vorës për një pozicion jashtë loje. Në fund ka lot te lojtarët vorakë, por edhe ofendime e përplasje mes dy skuadrave në momentin kur po shkonin në dhomat e zhveshjes. Mirëpo, këtu plasi një sherr mes prindërve të lojtarëve të të dyja ekipeve. Gjyqtarët janë detyruar të qëndrojnë në shi për disa minuta, derisa është qetësuar situata në sherrin mes prindërve përpara dhomave të zhveshjes.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
LEXO EDHE: