Qetësi pas furtunës, Kukësi projekton kthimin te fitorja, Shaqiri i përvishet punës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2015 | 14:55

Qetësi pas furtunës, Kukësi projekton kthimin te fitorja, Shaqiri i përvishet punës

Kukesi feston

Skuadra e Kukësit vazhdon përgatitjet për takimin me Flamurtarin, që do të luhet të hënën në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Nën drejtimin e trajnerit Artim Shaqiri dhe ndihmësve të tij, Ivan Gvozdenoviç, Marcelo Troisi dhe Estraf Billa, ekipi ka kryer seancën e radhës në kompleksin “Dinamo”.

Sot skuadra do të udhëtojë drejt Kukësit për t’u akomoduar në qytetin verilindor dhe për të kryer stërvitje në fushën e stadiumit. Dje situata në ekip ka qenë më e qetë pas shkarkimeve që presidenti Gjici bëri.

Me ikjen e ndihmëstrajnerit Edmond Dalipi dhe të drejtorit teknik Ramadan Shehu, duket se për momentin nuk do të ketë më masa. Humbja me Tiranën rezultoi fatale për dy ish-zyrtarët, pasi ata u shkarkuan me urdhër të presidentit Gjici.

Për Dalipin, motivacioni ishte për shkak të mosprezencës në mbledhjen urgjente që u thirr nga presidenti Gjici, ndërsa ish-drejtori teknik u shkarkua për shkak të mosimpenjimit. Skuadra tashmë po punon për të marrë më të mirën nga ndeshja e radhës ndaj Flamurtarit. Shaqiri është fokusuar shumë tek aspekti psikologjik me lojtarët.

Heshtja

Edhe pse në klub ka pasur zhvillime të rëndësishme në aspektin e ndryshimeve thuajse thelbësore të drejtuesve, ende nuk është thënë asgjë zyrtarisht në media, pasi vazhdon heshtja për shtyp. Kjo e fundit ka nisur që pas ndeshjes me Apoloninë, ku pas atij barazimi presidenti dha urdhër që askush të mos fliste për mediat. Gazetat dhe televizionet u menduan se mund të ishin një faktor shpërqendrimi. Pas takimit me Flamurtarin, pritet një urdhër i presidencës që heshtja për shtyp të përfundojë.

Përgatiti: Skerdilaid Sulozeqi