Qëndrim i “Panorama Sport”/ Bllokimi i gazetarit, si klubi i Partizanit po tenton censurën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2024 | 18:25

Qëndrim i “Panorama Sport”/ Bllokimi i gazetarit, si klubi i Partizanit po tenton censurën

Klubi i Partizanit ka bllokuar dje gazetarin e “Panorama Sport”, Denis Lala, për të kryer punën e tij normalisht si çdo ditë, teksa informon për gjithçka ndodh në skuadrën e kuqe.partizaniPasi është telefonuar fillimisht nga drejtuesit e Partizanit për të mos pasur më punë me klubin, më pas gazetari nuk është lejuar të marrë pjesë në konferencën e zakonshme për mediat që trajneri Aleksandar Veselinoviç zhvilloi dje në orën 15:00 në ambientet e klubit, para ndeshjes me Egnatias. Përpara nisjes së kësaj konference, zyrtari i klubit, Amarildo Dajlani, ka lexuar një komunikatë, e cila më pas është publikuar edhe në faqen zyrtare të Partizanit. Në respekt të mijëra lexuesve të “Panorama Sport” dhe tifozëve të Partizanit, si gazeta më e madhe në vend, garantojmë korrektësinë, paanshmërinë dhe vërtetësinë absolute të çdo informacioni të publikuar për të gjitha skuadrat.

Për komunikata të tilla paranojake, e sigurt është që nuk ka asnjë lloj dashakeqësie për Partizanin apo çdo klub tjetër në Shqipëri. Çdo lexues mund të gjykojë mbi faktet dhe argumentet që gazeta servir në çdo numër të saj të përditshëm, duke siguruar mbi të gjitha vërtetësinë e tyre. “Panorama Sport” ka dy dekada në treg dhe falë transparencës së plotë, kompromisit vetëm me të vërtetën, si dhe denoncimit të fenomeneve negative ndër vite në sportin shqiptar, është sot burimi kryesor i lajmeve në të gjithë shqiptarinë, si e vetmja gazetë sportive në trevat shqipfolëse. Partizani dhe çdo klub tjetër duhet të kuptojnë se “Panorama Sport” nuk është zyrë për shtyp, që ecën sipas linjës së tyre dhe individëve të caktuar brenda këtyre shoqërive.

Çdo klub duhet të jetë i bindur se nuk mund të diktojë lajmet që gazeta servir për lexuesit. Në lidhje me pretendimin e Partizanit rreth lajmit të publikuar nga gazeta për marrëdhënien trajner-drejtor, gjithçka është bazuar mbi deklaratat që ka bërë Veselinoviç në gjuhën serbe pas derbit kundër Tiranës, pa hequr, shtuar apo shtrembëruar asnjë fjalë nga ato që përkthyesi i tij ka thënë.

ÇFARË THA TRAJNERI VESELINOVIÇ PAS DERBIT ME TIRANËN

Për korrektësi dhe transparencë, ju sjellim edhe një herë fjalët e thëna nga Veselinoviç pas ndeshjes kundër Tiranës. Kjo ishte hera e dytë që trajneri etiketon publikisht Arbër Abilaliajn mbi shitjet e lojtarëve kryesorë dhe zgjidhjeve që duhen gjendur. Mes të tjerash ai u shpreh se nuk është “magjistar”, duke kaluar topin publikisht te bashkëpunëtori i tij. Më parë Veselinoviç “shkarkoi” përgjegjësitë te drejtori edhe për lënien në tribunë të Hadrojt në ndeshjen me Laçin.

Do të humbisni Hadrojn dhe Rrapajn, dy lojtarë të rëndësishëm. Keni plan për t’i zëvendësuar, apo do të vazhdoni me këtë skuadër?

Ju e dini se në momentin që unë mbërrita, klubi shiti Magetin dhe kam thënë se do të mundohemi të gjejmë zgjidhje brenda grupit. Ashtu ndodhi, kanë marrë minuta edhe çuna që më parë nuk kanë luajtur. Realisht pa Hadrojn kemi dy muaj që luajmë. Kur flasim për Hadrojn, Rrapajn dhe Maget, të gjithë e kanë të qartë se cilat janë cilësitë e këtyre lojtarëve. Ne edhe pa Hadrojn dhe Magetin kemi gjetur zgjidhje dhe kemi qenë të suksesshëm. Por nuk jam ndonjë magjistar ose trajner i shkëlqyer për të gjetur gjithnjë zgjidhje, sidomos për rastin e Rrapajt. Ama nëse ndodh (shitja), do të shohim sesi do të gjejmë zgjidhje. Nëse më pyesni mua, mendoj se Rrapaj është lojtari më i mirë i kampionatit shqiptar. Dhe për çdo gjë që do të ndodhë në vazhdim duhet t’i referoheni drejtorit sportiv, Arbrit (Abilaliaj). Unë sot për sot punoj me këta djem, sepse i kam në dispozicion.

KOMUNIKATA E PARTIZANIT

“Klubi i Partizanit kërkon të sqarojë mbarë opinionin publik dhe sidomos tifozët e kuq, që lajmet e shpërndara sot (dje) në gazetën ‘Panorama Sport’ janë jo vetëm të pavërteta, por edhe dashakeqe kundrejt klubit tonë. Nuk ka asnjë lloj ‘krisje’, ‘ftohje’ apo ‘ngrohje’ mes trajnerit tonë, z.Aleksandar Veselinoviç, stafit të tij teknik dhe drejtorit sportiv të klubit, Arbër Abilaliaj. Marrëdhëniet në klubin tonë janë shumë korrekte dhe tejet profesionale, madje me hapjen prej tre muajve të hotelit modern të klubit tonë, stafi teknik dhe ai sportiv është më afër se kurrë për të mirën e përbashkët, Partizanin. Ky është një sulm dashakeq nga një gazetar që është shpallur i padëshirueshëm në klubin tonë, duke qenë se ka gënjyer publikisht për shumë situata të ndodhura në klubin tonë dhe gjithmonë në dëm të punës së përditshme. Klubi i Partizanit mbetet një partner serioz për cilëndo media sportive ose jo, që bën punën e vet profesionale, duke informuar publikun dhe sidomos tifozët tanë me çfarë ndodh në klubin tonë. Nuk do të bëjmë kurrë pakt me asnjë gazetë apo gazetar, që kërkon të prishë imazhin e klubit tonë me gënjeshtra dhe të pavërteta, të cilat i kemi të faktuara, madje për këtë situatë kemi vënë në dijeni edhe drejtuesit redaksionalë të ‘Panorama Group’. Puna në klubin tonë vazhdon jo vetëm në planin sportiv, por edhe atë të investimeve, të cilat po shndërrojnë Partizanin në një klub shembull, jo vetëm në fushën e blertë”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"