Qendërmbrojtësi paralajmëron autokritikën, Fernando: Pesë javë pa fitore rëndojnë te Tomori, ndalim “agjërimin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2023 | 21:46

Qendërmbrojtësi paralajmëron autokritikën, Fernando: Pesë javë pa fitore rëndojnë te Tomori, ndalim “agjërimin”

Tomori po “agjëron” prej pesë javësh. Beratasit nuk po marrin dot një fitore në kampionat dhe kjo ka shtuar dukshëm ankthin në radhët e futbollistëve. Për t’iu larguar “presionit”, kanë nevojë për mbështetje masive. Ata presin që tifozët të jenë të shumtë në stadium, pasi do ta kenë më të lehtë për të gjetur kthesën.

tomorii

Këtë e përmend për “Panorama Sport” edhe qendërmbrojtësi Luis Fernando. Braziliani e pranon që situata është rënduar, por nuk dëshiron të dorëzohet. “Pesë javë pa fitore janë shumë. Kjo ecuri na ka shqetësuar të gjithëve. E megjithatë, ajo që iku nuk mund të zhbëhet. Rëndësi ka që të reagojmë. Tomori nuk është ai që ka pësuar këto humbje apo ai i renditjes aktuale.

Nuk diskutohet që kjo skuadër meriton më shumë. Ne do të bëjmë gjithçka për autokritikën dhe forma më e mirë është fitorja përballë Burrelit. Kemi përgatitur gjithçka për të realizuar kthesën. Jemi të detyruar. Do të ishte dhurata më e mirë që mund t’i bëhej trajnerit tonë të ri, por edhe tifozëve që nuk na e kanë kursyer asnjëherë mbështetjen. Shpresoj që të jenë të shumtë të shtunën në stadium, ashtu si kanë bërë gjithnjë. Nuk janë kursyer kurrë, ndaj ne do t’i japim fund pritjes pesëjavore.

Unë personalisht do të jap gjithçka nga vetja. Jo vetëm në detyrat mbrojtëse, pasi prioritet imi ky është. Unë dallohem edhe për gola, ndaj do të kërkoj edhe të shënoj nëpërmjet skemës që kemi ndërtuar enkas për këtë ndeshje”, ka përfunduar braziliani.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"