“Projekti është për 4500 vende, mund të luajë edhe Kombëtarja”, Bizhdili: Gati prishja, stadium modern për Besën
Nexhat Bizhdili “skanon” Besën. Skuadra nuk i ka plotësuar pritshmëritë e tij, e megjithatë presidenti nuk dorëzohet. Ai beson se mund ta kapin zonën “play off”, por për këtë duhen afrime. Planet për merkaton i ka të qarta që tani dhe këtë e rrëfen gjatë intervistës së dhënë enkas për “Panorama Sport”.
Numri një i klubit flet edhe për mungesën e stadiumit, që i ka penalizuar jo pak edhe këtë sezon. E megjithatë, më i lehtësuar ndihet pas premtimit të fundit të kryebashkiakut Fisnik Qosja.
Pasi u mbyll faza e parë, Besa renditet e 9-ta. I zhgënjyer me ecurinë e ekipit?
I kënaqur nuk mund të jem kurrsesi. Por dua të jem i drejtë. Nuk është se më kanë zhgënjyer lojtarët që ekipi ka prodhuar në fushë, por fundi i tyre. Mund të luash shumë mirë dhe të mos fitosh, kjo ka ndodhur me ekipin tonë. Nuk po ju kujtoj ndeshjet një e nga një, por ju e keni ndjekur takimin në Burrel, gjykoj se në asnjërën prej tyre nuk kemi merituar të humbasim. Po pikët janë ato që janë dhe natyrisht nuk ndihem mirë për këtë.
Çfarë mund të synojë ky grup?
Kam aq përvojë në drejtimin e një klubi, sa nuk mund t’u them se jemi pretendentë për dy vendet e para. E megjithatë, kam besim se deri në fund do të synojmë zonën “play off”. Këtë mund ta arrijmë. Kjo natyrisht kërkon edhe ndërhyrje në merkaton dhe këtë do të bëjmë.
Meqenëse prekët temën e merkatos, ku do të ndërhyni konkretisht në janar?
Në janar do të marrim 5-6 futbollistë, që do të rrisin forcën e grupit. Në këtë formë mund të arrijmë edhe zonën “play off”.
Po me stadiumin “Besa” çfarë po ndodh, pasi nëntori po shkon drejt fundit?
Nëse ka diçka që ka kushtëzuar sukseset tona këto vite, ka qenë mungesa e stadiumit tonë. Duke iu përgjigjur pyetjes suaj, më në fund kemi plan real e hapa konkretë lidhur me stadiumin. Kështu kanë kaluar fazat e para dhe në fund të nëntorit nis prishja e tij. Kujtojmë se stadiumi “Besa” është klasifikuar me DS/4 nga tërmeti i nëntorit 2019. Çfarë do të thotë, që duhet të ishte prishur me kohë… Sidoqoftë, rëndësi ka që kjo gjë do të ndodhë brenda këtij muaji.
Kur do të nisë ndërtimi i të riut?
Pas prishjes, në muajin mars pritet të nisë edhe faza e parë e rindërtimit të tij.
Kur thoni faza e parë, çfarë nënkuptoni?
Them faza e parë, pasi kapaciteti fillestar pritet të jetë 4500 vende, ku përfshihen dy tribunat qendrore dhe ato ballore. Do të ketë të gjitha kushtet për një stadium modern. Mund të presë edhe takime ndërkombëtare të përfaqësueses sonë, pasi do të jetë i kompletuar edhe me infrastrukturën e jashtme apo një parking me mbi 500 vende përballë tribunës qendrore dhe asaj ballore, që sot shërben si treg i gjelbër për qytetin.
Cili është plani për kapacitetin e këtij impianti?
Në varësi të nevojave, parashikohet që të ketë hapësirë për të shkuar edhe në 9 mijë vende në total. Ndaj thashë “faza e parë”…
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"