Projeksionet e lënë Partizanin jashtë katërshes, me Egnatian pa favorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2025 | 21:57

Projeksionet e lënë Partizanin jashtë katërshes, me Egnatian pa favorit

Partizani po kalon një kampionat të vështirë dhe ndodhet jashtë pritshmërive. Aktualisht mban vendin e shtatë në renditje duke qenë 9 pikë larg Vllaznisë kryesuese. Kanë kaluar shtatë javë dhe në projeksionet e reja, Partizani do të jetë jashtë “Final Four” në përfundim të kampionatit. “Football Meets Data” parashikon fundin e 36 javëve sipas situatës aktuale, ndërsa Partizanit i jepet vetëm vendi i gjashtë.

Partizani

Mbi Partizanin do të qëndronin Vllaznia, Egnatia, Teuta, Elbasani dhe Dinamo. Verdheblutë e Elbasanit që sipas projeksioneve e mbyllin në vendin e katërt, do të kishin 2 pikë më tepër se Partizani në përfundim të 36 javëve. Të kuqve u jepen vetëm 34% mundësi, që të marrin pjesë në “Final Four” ku vendosen fatet për titullin kampion.

SFIDA E RADHËS- “Football Meets Data” me superkompjuterin e tij ka ndarë përqindjet që çdo ekip ka për të fituar në javën e tetë të Superiores. Partizani do të presë Egnatian në stadiumin “Arena e Demave”, të shtunën në orën 17:00.

Të kuqve u jepet 38% mundësi për ta fituar këtë përballje, ndërsa Egnatias 36%. Barazimi ndërkohë ka pjesën tjetër me 26%. Kjo tregon se gjasat janë që të jetë ndeshje e balancuar në Tiranë dhe nuk flitet për një favorit konkret.

PANORAMASPORT.AL