Probleme në lojë kundër Vllaznisë, Egnatia u tradhtua nga pikat më të forta
Egnatia u mund 3-1 në Shkodër dhe kjo është diçka e pranueshme. Çdo ekipi futbolli në botë, qoftë edhe kampion në fuqi, i ndodh të humbasë. Ajo që shqetëson në kampin rrogozhinas është loja krejtësisht apatike e skuadrës, jo më kot trajneri Edlir Tetova pohoi se ishte ndeshja më e dobët nën drejtimin e tij.
Për shumë minuta Egnatia nuk njihej në fushë, duke vërtetuar në një farë mënyre faktin se këtë sezon nuk do të jetë më ajo e vjetshmja. Sepse kampionët në fuqi u panë të çalonin në pikat e tyre më të forta, siç janë prapavija dhe administrimi i lojës.
MBROJTJA – Egnatia u tradhtua në “Loro Boriçi” nga mbrojtja, që është një nga pikat e saj më të forta. Portieri Dabjani dhe Xhemajli veçanërisht hasën vështirësi kundër Vllaznisë. Për sa i takon portës, është e qartë se Egnatia nuk e ka më garancinë që i afronte Alen Sherri.
Mbrojtësit janë po ata të sezonit të shkuar dhe mund të thuhet se ishte një ditë “Jo” për ta, por “kambanat” kanë filluar të bien, sepse skuadra e Tetovës këtë kampionat ka pësuar 5 gola në 4 ndeshje. Vetëm javën e parë kundër Dinamos nuk pësoi gol, pastaj në portën e Dabjanit kanë shënuar:
Laçi 1 gol, Tirana po 1 gol dhe së fundi Vllaznia 3 gola. Kuptohet që është vetëm fillimi i kampionatit, por diçka nuk shkon si më parë në ciklin e ri që rrogozhinasit kanë nisur tashmë.
ADMINISTRIMI – Një tjetër aspekt, ku Egnatia vuajti kundër Vllaznisë, ka të bëjë me mospërballimin e presingut të kundërshtarit. Skuadra e Tetovës nuk e ka pasur asnjëherë problem administrimin e lojës në çdo moment të saj, falë aftësive të lojtarëve që ka në skuadër.
Sidomos në pjesën e parë të ndeshjes në Shkodër, kampionët u panë ta dorëzonin shpejt topin, kur lojtarët kundërshtarë ushtronin presion te portieri dhe mbrojtja. Edhe këtu duket se ndikon mungesa e lojtarëve si Fernando, apo Ibrahimoglu, të larguar në merkaton e verës nga Egnatia.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"