Presion Lushnjës, Dede as që e mendon blofin në shtëpi: Të argëtojmë tifozët, lojtarët të marrin përgjegjësi
Elbasani pret sot Lushnjën në orën 17:00 në shtëpi, në një ndeshje nga e cila duhet të dalë me çdo kusht me tri pikë. Verdheblutë vijnë në këtë sfidë pa kapitenin Abaz Karakaçi dhe mbrojtësin Armando Rami, që kanë plotësuar numrin 4 të kartonëve. Gjithsesi, elbasanasit i gëzohen faktit se po i rikthehen në formën e tyre disa prej lojtarëve të dëmtuar. Të paktën, kështu shprehet në hyrje të fjalës së tij për “Panorama Sport” Nevil Dede, që kërkon të lërë pas barazimin e pak ditëve më parë me Vorën.
“Të jem i sinqertë, jemi entuziastë për rikthimin e disa lojtarëve. Nuk jemi shumë të kënaqur me atë që bëmë në ndeshjen e kaluar, por gjithsesi ajo ka kaluar dhe tani duhet të shohim vetëm përpara”, u shpreh fillimisht tekniku.
OBJEKTIVI
Në fazën e parë, elbasanasit kanë mundur Lushnjën minimalisht 0 – 1, ndaj përpos pozitave që ata kanë në klasifikim nuk pritet një ndeshje e lehtë për verdheblutë. Trajneri vlerëson kundërshtarin dhe trajnerin Magani, por në shtëpi kanë edhe një synim tjetër veç fitores: të kënaqin publikun.
“Ne mundohemi të bëjmë kujdes me çdo kundërshtar. Edhe në ndeshjet që nuk kemi arritur të bëjmë mirë apo të shkojmë te pritshmëritë që klubi ka për grupin e lojtarëve. Lushnja është një skuadër simpatike, me një trajner të zotë dhe me eksperiencë. Kur luajmë sidomos në shtëpi, fjalia ime kryesore është që ne duhet të kënaqim të gjithë. Tifozët në radhë të parë, presidentin dhe klubin. Se sa ia kemi dalë deri tani nuk mund ta them me siguri të plotë. Deri diku brenda në shtëpi i kemi kënaqur, larg pritshmërive jemi jashtë fushës sonë”, vijoi më tej numri një i stolit verdheblu.
RIVALËT
Nuk e merakos fakti që Bylisi i vendit të parë është gjashtë pikë larg dhe ekipet e tjera pas tyre janë shumë afër. Ai thekson se skuadra sheh vetëm punën e saj dhe pret që lojtarët të marrin përgjegjësitë që u takojnë.
“Ne shohim vetëm punë tonë, mundohemi të marrim pikët tona dhe maksimumin në çdo ndeshje. E thashë edhe më herët që jo në çdo ndeshje kemi arritur të japim më të mirën dhe të bëjmë atë që është investuar në këtë klub. Tani presim që lojtarët të marrin përgjegjësi sa i përket personalitetit, eksperiencës që ata kanë vënë vetë në fushë”, përfundoi Dede.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"