Presidenti ia kalon “frenat” e klubit të birit/ “Noka junior” merr komandën e klubit të Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2022 | 16:52

Presidenti ia kalon “frenat” e klubit të birit/ “Noka junior” merr komandën e klubit të Kategorisë së Parë

Besëlidhja preku fundin e tabelës, ndonëse ndali Flamurtarin. Barazimi 2-2 në Vlorë solli vërtetë pikë, por i zbriti me një vend në tabelë. E megjithatë, në klub nuk e bëjnë dramë dhe në kompleks janë të kënaqur me atë çka dha skuadra në fushë.

Noka

Këtë mendon edhe Xhulio Noka, djali i presidentit Gjok Noka. Me këtë të fundit që është i dënuar me vendim gjykate pas skandalit të pronave në Lezhë, “frenat” e lezhjanëve i ka marrë i biri. Ai momentalisht ka statusin e zv.presidentit dhe e komenton kështu ecurinë e deritanishme për “Panorama Sport”:

“Me barazimin 2-2 në stadiumin e qytetit të Vlorës ndaj Flamurtarit, Besëlidhja tregoi se nuk e meriton vendin e fundit. Të jeni të sigurt që nuk do ta mbajë në të ardhmen e afërt… Të mërkurën ekipi shpalosi vlerat e veta më të mira, duke shënuar edhe dy gola. Ndoshta me pak kujdes dhe pak fat mund ta fitonim atë transfertë.

Gjithsesi, përballë Flamurtarit në shtëpinë e tij një pikë është e mjaftueshme për ne. Kam besim se shumë shpejt do ta lëmë fundin e tabelës për t’iu kthyer normalitetit. Po punojmë për rifreskimin e ekipit në ato pika ku ka më shumë nevojë, çka do të rrisë edhe më shumë garancitë drejt objektivave. Në merkaton e janarit besoj se do të sjellim kualitetin që i mungon ekipit.

presidenti gjok noka

Për barazimin ndaj Flamurtarit dua të falënderoj të gjithë çunat e ekipit për grintën dhe shpirtin e garës që dhuruan në arenën vlonjate. Gjithashtu dua të falënderoj edhe stafin teknik të kryesuar nga trajneri Nikolin Çoçlli për punën e palodhur në stërvitjen e ekipit dhe drejtimin e tij në ndeshje”.

Edhe dy drejtuesit e tjerë të Besëlidhjes, Agustin Marku e Llesh Shtjefni, janë të kënaqur me performancën e skuadrës dhe të bindur se shumë shpejt gjendja do të ndryshojë për mirë. Ata falënderojnë të gjithë futbollistët e skuadrës dhe stafin teknik me në krye trajnerin Nikolin Çoçlli. Me ndeshjen ndaj Flamurtarit, Besëlidhja e mbylli gjysmën e parë të sezonit për t’u rikthyer në fund të janarit me një “look” të ri.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"