Presidenti i FSHÇ, Skënder Anxhaku: Çiklizmi ka kosto, s’mjafton një fushë dhe një top

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 19:56

Presidenti i FSHÇ, Skënder Anxhaku: Çiklizmi ka kosto, s’mjafton një fushë dhe një top

Në ditën e startit të Rrethit të 81-të Çiklistik, gjatë prezantimit të ekipeve në Tiranë, presidenti i FSHÇ-së, Skënder Anxhaku, komentoi aktivitetin më të rëndësishëm vjetor të federatës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, kryetari i dyrrotakëve të Shqipërisë, fillimisht falënderoi të gjithë partnerët në organizmin e turit, duke e nisur nga Policia:

unnamed

“Është një aktivitet shumë i rëndësishëm dhe do kujdes të madh në të gjitha drejtimet, sidomos është rreziku i madh i rrugës, për arsye sepse ne nuk kemi si gjithë bota rrugë cilësore. Por duke pasur mbështetjen nga Ministrisë së Brendshme, nga drejtoritë e qarqeve ne nuk na ka ndodhur asnjë incident në gjithë këto vite. Dua të falënderoj në mënyrën më të veçantë, duke nisur nga polici më i thjeshtë dhe deri te drejtori i përgjithshëm, z.Muhamet Rrumbullaku, për masat e marra.

Ekipeve të huaja u ka bërë gjithnjë përshtypje ky organizim kaq shembullor nga policia. Dua të falënderoj Bashkinë e Tiranës për mbështetjen që na jep, gjithashtu edhe Komitetin Olimpik dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që janë partnerët tanë, bashkë me gjithë sponsorët. Më vjen keq që Ministra e Turizmit s’ka qenë pranë këtij aktivitetit, pasi Rrethi Çiklistik është gjithashtu një eveniment që promovon bukuritë e Shqipërisë”, u shpreh Anxhaku. Më tej presidenti i FSHÇ-së theksoi se çiklizmi ka kosto më të mëdha financiare, ndryshe nga sporte të tjera, duke marrë si shembull volejbollin apo basketbollin:

“Dua të falënderoj të gjithë stafin e federatës që ka mbi 2 muaj që punon për këtë aktivitet, duke marrë çdo masë organizative. Kemi pasur kërkesa shumë të mëdha gati 30-40 ekipe, por ne s’kemi mundësinë financiare për t’i përballuar në atë masë, sepse nëse nuk e mbështesin eventin të gjitha bashkitë, kjo është si një këmbë që mund të quhet e çalë. Ky është një sport që kërkon mbështetje, nuk është si sporte ku duhet vetëm një fushë, një top dhe lojtarët. Vetëm baza materiale që ne lëvizim nga Tirana në çdo qytet ka kosto shumë të mëdha”. Në fund Anxhaku foli edhe për mospërfshirjen e veriut në Rrethin Çiklistik: “Veriu nuk është mënjanuar, pasi Shkodra mbetet djepi i çiklizmit shqiptar. Por kemi problem aksin nga Fushë-Kruja në drejtim të Lezhës. Mendojmë që vitin e ardhshëm me rastin që Shkodra pritet të jetë edhe ‘Qyteti i Sportit’, ta nisim Rrethin Çiklistik pikërisht në Shkodër”, përfundoi Anxhaku.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"