Presidenti Gjoka: E shkarkova. Replikon Devolli: Kam dhënë dorëheqjen / Ja kush do ta zëvendësojë në krye të Turbinës
Bledar Devolli nuk është më trajner i Turbinës. Edhe pse e mbylli vitin 2022 me fitore në krye të skuadrës cërrikase, duke ngjallur shpresat për mbijetesë në Kategorinë e Parë, nuk ishte e thënë që bashkëpunimi mes tij dhe klubit të vazhdonte. Presidenti i Turbinës, Gentjan Gjoka, në një prononcim për “Panorama Sport” ka treguar pse erdhi ky vendim, ndërsa ka zbuluar edhe trajnerin e ri para stërvitjes së parë për vitin 2023, që u zhvillua dje në kryeqytet.
“Duke parë rezultatet e dobëta, kam vendosur ta shkarkoj Bledar Devollin nga drejtimi i skuadrës. Trajneri i ri i Turbinës do të jetë Alfred Allamani, i cili ka drejtuar edhe më parë ekipin dhe e njeh mirë grupin e futbollistëve. Skuadra do të përforcohet në ditët në vijim. Do të bëjë një merkato cilësore dhe jam i bindur që Turbina do të qëndrojë në Kategorinë e Parë”, ka thënë dje presidenti Gjoka.
REAGIMI – Trajneri 44-vjeçar, i kontaktuar dje nga gazeta pas zyrtarizimit të largimit nga Turbina, ka dhënë një tjetër version në krahasim me atë të presidentit Gjoka.
“Kam dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Turbinës për arsye personale. I uroj suksese ekipit në vazhdimësi”, ka thënë shkurtimisht Devolli.
Gjirokastriti ka mohuar të jetë shkarkuar, në një kohë që e ka lënë ekipin pas një fitoreje. Tashmë cërrikasit do të drejtohen nga Allamani, i cili e njeh mirë ambientin, pasi është prej disa vitesh në klub si pjesë e stafit.
M.MIRAKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"