“Pres një ndeshje të bukur”, Dritan Mehmeti: Respekt Vllaznisë, por duam fitoren e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 12:15

“Pres një ndeshje të bukur”, Dritan Mehmeti: Respekt Vllaznisë, por duam fitoren e radhës

Dinamo përballet sot me Vllazninë në orën 17:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

dritan mehmeti

Blutë vijnë në këtë takim pas një ecurie të mirë, që i ka ngjitur në vendin e katërt, ndërsa shkodranët janë rival direkt për “Final 4”. Dritan Mehmeti ka theksuar se pret një ndeshje të bukur, siç e kanë në natyrë Dinamo dhe Vllaznia. Për trajnerin e bluve, rëndësi ka vetëm ndeshja e sotme dhe i gjithë përqendrimi duhet të jetë aty, ndërsa llogaritë e sezonit do të bëhen në fund.

Mehmeti, si është gjendja e skuadrës para ndeshjes me Vllazninë?

Gjendja e skuadrës është përgjithësisht e mirë. Kemi pasur probleme të vogla sa u takon dëmtimeve me Denisonin, që ka pasur shqetësime në muskujt e shpejtësisë, por edhe Andonin që nuk u stërvit me grupin në ditët e para. Janë probleme që kanë ardhur nga ngarkesa. Stërvitja ka shkuar mirë, por do të konsultohemi me stafin mjekësor për Denisonin dhe do të vendosim, nëse do të jetë apo jo në ndeshjen me Vllazninë.

Si e prisni sfidën me një kundërshtar që po kalon formë të mirë?

Vllaznia ka pasur kohët e fundit një performancë shumë të mirë, jo vetëm me rezultate, por edhe me lojëra. Së fundi ka mundur Egnatian dhe kjo tregon shumë. Ka kualitete dhe besoj se do të jetë një ndeshje, ku ne do të tregojmë forcën tonë. Përpos sukseseve që kanë pasur dy skuadrat javët e fundit, mendoj që çdo ndeshje ka historinë e vet. Nuk mund ta parashikojmë çfarë do të ndodhë sot, sepse ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra. Besoj se do jetë një ndeshje, që do të ketë edhe bukurinë brenda, sepse janë dy ekipe në majat e futbollit shqiptar. Shpresoj të ketë rivalitet në fushë, por edhe lojë të bukur.

Tashmë jeni në katërshen e parë, a mund të krijojë presion kjo gjë në vazhdim, duke nisur që nga ndeshje me Vllazninë?

Unë mendoj se faktorët e tjerë, përveç asaj që do të japin skuadrat në fushë, nuk ndikojnë. Jemi të vetëdijshëm sa i vështirë është ky kampionat dhe nuk e shikojmë fare renditjen. Jemi të përqendruar vetëm te ndeshja me Vllazninë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Skuadrat kanë pak diferenca mes njëra-tjetrës. Nuk e kemi luksin të mendojmë gjatë. Duhet të tregojmë forcën tonë dhe gjithçka t’ia lëmë fushës.

Sa ndikon fakti që luani në një fushë asnjanëse si “Niko Dovana”?

Faktori fushë në Superiore mendoj se nuk vlen më. Ka rënë miti i fushës dhe do të thosha se jam ndjerë vërtet shumë mirë, kur kam parë tifozët e Dinamos në Korçë. Edhe Vllazninë besoj se do ta ndjekin tifozët e saj në këtë ndeshje.

Çfarë ka ndryshuar te Dinamo së fundmi që keni vazhdimësi?

Skuadra është përgatitur shumë mirë, por do të thosha se tashmë është bërë automatizimi i veprimeve. Çdo skuadër ka nevojë për kohën e vetë, aq më tepër kur ka një staf të ri. Po kalojmë një moment të mirë, por duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë kërkojmë. Duhet të sigurojmë Superioren, ky është objektivi ynë. Pastaj, sa do të tregojmë forcën tonë, duke menduar për më gjatë, do t’ia lëmë fushës.

A e ka Dinamo kapacitetin për ta mbyllur në katërshen e parë?

Ne shikojmë javë pas jave, nuk e shikojmë fare në aspektin e renditjes. Është një kampionat i vështirë dhe nuk bëjmë llogari. Llogaritë tona janë te fusha, te stërvitja. Kur të kemi stabilitet rezultatesh mund të pretendojmë shumë më tepër. Por duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse nuk kemi bërë asgjë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Patjetër që siç mund ta kemi ne kapacitetin, mund ta ketë edhe Tirana, apo Laçi dhe skuadra të tjera si Skënderbeu. Kur them nuk ka diferenca, do të thotë se është kampionat i paparashikueshëm.

Në dy ndeshjet e para Vllaznia ia ka marrë pikët Dinamos pa u lodhur shumë, a mund të jetë një duel revanshi sot në Durrës?

Nëse flasim për ndeshjen e humbur në Shkodër, të jem i sinqertë, e kemi dhuruar fitoren për mënyrën si e interpretuam lojën. Jo për të ulur meritën e kundërshtarit. Nuk kemi asnjë revansh, thjesht Vllazninë e respektojmë, sepse është kënaqësi gjithmonë të luajmë me të. Do bëjmë maksimumin për të dalë fitimtarë. Dua t’i falënderoj të gjithë në klub, sepse të arrish suksesin duhet të jesh në unison, nga presidenti te magazinieri. Edhe skuadrat e tjera kanë përfituar nga kriza jonë. Gjithçka ne e kemi në dorë, kështu që duhet të respektojmë veten, të tregohemi profesionistë.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"