Premio për ngjitjen, Nikaj “ndez” lojtarët: I njoh mirë matjanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 12:45

Premio për ngjitjen, Nikaj “ndez” lojtarët: I njoh mirë matjanët

Pogradeci është vetëm një finale larg Kategorisë së Parë. Nëse mundin Burrelin sot në “Arena Egnatia”, atëherë do të zyrtarizohet ngjitja. Skuadra ka mbyllur dje përgatitjet me moral të lartë dhe për këtë ka ndikuar edhe premioja që ka akorduar kryebashkiaku në rast fitoreje. Me të kryer seancën e fundit, skuadra u nis në Durrës, ku edhe kaloi natën dhe vetëm sot do të niset në Rrogozhinë për të tentuar shansin e fundit për t’i dhënë lamtumirë së Dytës.

nikaj

Optimist para ndeshjes shfaqet edhe Samuel Nikaj dhe një dorë të madhe duket se i jep e shkuara. Ai i njeh matjanët, pasi dikur i ka drejtuar.

“Emocionet janë të pashmangshme në ndeshje të tilla. Prej kësaj finaleje varet fati i një sezoni të tërë. Jemi kaq pranë ngjitjes… Por, ne jemi mësuar t’i përballojmë këto lloj emocionesh. Në këtë kampionat kemi provuar kaq shumë dhe kjo na bën mirë. Përballem me të shkuarën, por jo për herë të parë. Kam luajtur disa herë kundër Burrelit si kundërshtar. E megjithatë, jo në këtë lloj situate.

Kjo është disi ndryshe, flasim për një finale që përcakton ekipin e 12-të që do të jetë pjesëmarrës në Kategorinë e Parë. Por unë jam profesionist dhe bëj detyrën në klubin që jam. Burrelin pa diskutim e vlerësoj maksimalisht, si nga ana e organizimit dhe cilësisë së lojtarëve. Pa harruar edhe trajnerin dhe stafin e tij me një eksperiencë jo të vogël mbi supe.

Sa e njoh kundërshtarin? E njoh mirë filozofinë dhe mentalitetin matjan, plus një pjesë të mirë të lojtarëve i kam stërvitur. Por diferencë në këto ndeshje bën fati dhe individi”, u shpreh fillimisht shkodrani i stolit të Pogradecit. Nuk kishte si të mos fliste për masat që ka marrë për këtë finale, e cila rrezikon edhe shtesat apo penalltitë.

“Jemi përgatitur. Por do të them diçka. Unë do të pranoj me sportivitet çdo rezultat. Do të pranoj vullnetin e Zotit, çka ka shkruar ai për këtë ndeshje. Gjendja e skuadrës sime është optimale. Drejtoj një grup me eksperiencë dhe besoj se do të dijë ta menaxhojë situatën. Besimi im për skuadrën është në nivel maksimal, pasi kam lojtarë të shkëlqyer. Shpresoj t’ia dalim dhe të fitojmë”, përfundoi Nikaj.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"