Prapaskena me Dimarkon, Bajern Mynih bëri gjithçka që ta transferonte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2024 | 9:45

Prapaskena me Dimarkon, Bajern Mynih bëri gjithçka që ta transferonte

Federiko Dimarko shënoi golin e tretë me fanellën e kombëtares italiane kundër Francës. Mbrojtësi i majtë ka zyrtarizuar vendin e tij si titullar edhe me kombëtaren, pasi me Interin është shndërruar në një prej më të mirëve në rolin e tij.

Dimarko inter

“Di të luajë futboll dhe mund ta vendosësh në çdo cep të fushës. Ka disa nuhatje dhe këtë e tregon edhe tek Interi sa herë zbret në fushën e lojës”, tha trajneri Spaleti për performancën e tij. Ndërkohë që Simone Inzagi është dashuruar me të që në ditët e para si trajner i Interit. “Dikush thoshte që Dimarko nuk është lojtar për Interin. Pas tre stërvitjesh me skuadrën tonë, Inzagi tha se ky lojtar nuk lëviz, por do të qëndrojë për të dhënë kontribut”, kanë qenë fjalët e drejtorit sportiv Auzilio. Sigurisht që ka thumbuar ish-trajnerin Antonio Konte me shumë mundësi.

PRAPASKENA- Ta mendosh që Dimarko mund ta linte të boshatisur krahun e majtë në këtë sezon, nisur nga fakti që Bajerni i Mynihut mendoi seriozisht ta transferonte që në fillimin e merkatos. Këtë e ka treguar eksperti i merkatos Fabricio Romano, një prapaskenë, që në fakt do të ndryshonte planet e skuadrës së Inzagit në rast shitjeje. Interesimi i gjermanëve ishte serioz, por kurrë nuk pati bisedime për Dimarkon.

Drejtuesit e Bajernit kuptuan menjëherë që për Interin, Dimarko është i pashitshëm dhe vetë lojtari nuk ka asnjë dëshirë që të largohet nga Milano. Ai është rritur në ekipet e moshave të Interit, por mori vendin e titullarit në ekipin e parë pas aventurave me Parmën dhe Veronën. Në fundin e vitit 2023 ka rinovuar kontratën deri në vitin 2027 me pagë 4 milionë euro. Në moshën 26-vjeçare, Federiko është i rritur mjaftueshëm. Ka marrë mbi shpatulla Interin, po merr edhe kombëtaren italiane.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"