Portieri prish kontratën me klubin e Kategorisë së Parë: Trajneri nuk më respektoi në miqësore
Vazhdojnë largimet te Besa. Pas Henri Sulovarit, Albi Xhebrahimit, Arbri Pengut, Xheron Osmas, Endri Allmuçës, Ergi Ajazit, Andrea Lilës, Arbër Deliut, listës i shtohet edhe Mikel Kaloshi.
Portieri nuk është më pjesë e kavajasve. Një ditë më parë, lushnjari ka shpallur zyrtarisht “divorcin” me klubin. Dhe ky vendim nuk ka ardhur pa shkak. Lojtari është ndier i parespektuar nga ana e trajnerit Lorenc Pashja, që nuk e ka aktivizuar si titullar në miqësoren e fundit (atë kundër Apolonisë). Kjo ka bërë, që ai të ulet me presidentin Nexhat Bizhdili dhe mbyll këtu bashkëpunimin.
Me ikjen e tij, hapet një vend te verdhezinjve. Drejtuesit kanë marrë për portën kosovarin Dorant Ahmetajt, por nuk përjashtohet mundësia që të futen në merkato për një tjetër. Kur dihet që gara është e gjatë dhe e vështirë, ndoshta do tentojnë që të shtojnë eksperiencën. Sidoqoftë, kjo gjë do të kuptohet këto ditë.
MOSRESPKETI NGA TRAJNERI – Ishte vetë Mikel Kaloshi që konfirmoi për gazetën “Panorama Sport”, se e ka mbyllur gjithçka me klubin kavajas. Tregon se çfarë ndodhi në Fier dhe mosrespektim që ka ndjerë nga ana e trajnerit të Besës.. “Në ndeshjen miqësore ndaj Apolonisë ishte një mosrespektim i trajnerit ndaj meje. Kjo më detyroi të largohesha nga ekipi. Pata një takim me presidentin Nexhat Bizhdili, që e falënderoj për gjithçka. Gëzoj respekt maksimal për të. Folëm për gjithçka. Më kërkoi të qëndroj, por unë nuk e pashë të arsyeshme të vazhdoja. Shkëputa kontratën dhe jam lojtar i lirë nga sot (dje)”, deklaroi gardiani, që u aktivizua në 1440 minuta te verdhezinjtë.
LUSHNJA DHE TOMORI – Kur kanë mbetur pak ditë mbeten nga rifillimi i sezonit, ai është ende i paqartë për të ardhmen. Është lojtar i lirë dhe duket se dëshirën e ka që të kthehet te Lushnja. Dëshira nuk i mungon, e megjithatë kontakte nuk ka pasur. 30- vjeçari sidoqoftë rrëfen se e ka një “muhabet” me Tomorin. “Lushnja nuk më ka kontaktuar. Dëshira është të rikthehem, por deri tani asgjë. Kam pasur kontakte me Tomorin. Kemi biseduar, por, nuk ka ende asgjë zyrtare”, deklaroi Kaloshi.
ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"