Portieri i Skënderbeut: Me Erzenin për fitoren e radhës, nuk dorëzohemi për 4-shen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2024 | 17:36

Portieri i Skënderbeut: Me Erzenin për fitoren e radhës, nuk dorëzohemi për 4-shen

Skënderbeu kërkon vazhdimësi në ndeshjen e radhës për të mos mbyllur me vetëm një fitore ecurinë pozitive.

Marko ALia

Ndeshja ndaj Erzenit pritet me kërshëri nga të gjithë në kampin bardhekuq, pasi synohet një tjetër fitore për të mbajtur të hapura llogaritë për vendin e katërt në kampionat. Për portierin e Skënderbeut, Marko Alia, korçarët kërkojnë të marrin 3-pikëshin e radhës, që do të jetë i rëndësishëm për të mbajtur të hapura llogaritë për vendin e katërt, që është një objektiv real i Skënderbeut. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Alia tregon arsyet përse Skënderbeu mund të marrë sërish 3 pikë në një ndeshje tejet delikate. Portieri kërkon përqendrim maksimal.

“Kemi marrë një fitore të rëndësishme në transfertë në një ndeshje që e dinim se do të ishte delikate për ne dhe e vështirë, sepse Kukësi kërkonte pikë mbijetese. Por e kemi menaxhuar mirë. Pavarësisht se nuk kemi bërë ndeshjen tonë më të mirë të mundshme, ia dolëm ta fitonim lehtësisht atë takim. Tani është lënë gjithçka pas krahëve dhe e rëndësishme për momentin është që të vijojmë me të tilla rezultate deri në fund për të mbajtur të hapur garën e vendit të katërt. Ne besojmë mjaft te ky pozicion dhe objektivi është ende i arritshëm. Cilësia nuk na mungon, ndaj duhet që në çdo moment të vlerësojmë dhe të jemi të përqendruar për ndeshjen e radhës. Ky është çelësi i suksesit. Nëse marrim gjithçka ndeshje pas ndeshjeje, jemi të përqendruar dhe të motivuar maksimalisht, vendi i katërt është i arritshëm për ne. Kjo është e sigurt, pasi Skënderbeu është ekip shumë cilësor me lojtarë, që kanë treguar në ndeshje të mëdha se kanë potencial”, theksoi fillimisht portieri i korçarëve për sa i përket ndeshjes së radhës dhe objektivave sezonal.

MERKATO – I ndalur më pas tek ambiciet personale duke parë se merkato është pranë dhe sezoni i tij është vlerësuar si tejet pozitiv, Alia nuk kërkon të nxitojë. Ai bën me dije se është i përqendruar vetëm tek Skënderbeu dhe kampionati që është duke luajtur. Pjesa tjetër i takon menaxherit të tij dhe presidentit Takaj.

“Sa i përket pjesës së merkatos, nuk dua të komentoj asgjë pasi nuk dua të shpërqendrohem. Jam i përqendruar tek ekipi i Skënderbeut në ndeshjet e mbetura në këtë sezon. Kam një kontratë afatgjatë me klubin dhe dua të jap më të mirën këtu. Normalisht që ambiciet e mia janë për të shkuar në një tjetër kampionat më të fortë dhe e di që ka pasur zëra dhe interesime, por nuk dua të përfshihem. Gjithçka ua kam lënë në dorë menaxherit tim dhe presidentit Ardian Takaj. Jam i bindur se nëse do të ketë diçka konkrete në të ardhmen që do të jetë e mirë për të dy palët do të ndodhë. Në të kundërt, jam mirë këtu dhe ndjehem si në familje”, mbylli prononcimin e tij gardiani i Skënderbeut, Marko Alia.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"