Porta e katalanasve nuk ka një “pronar”, Shezni dhe Injaki Pena në prag të “luftës”
Porta e Barcelonës nuk ka një “pronar” zyrtar. Kështu beson Hansi Flik dhe e ka bërë të qartë me praninë e Sheznit mes tri shtyllave në ndeshjen e të martës në Lisbonë kundër Benfikës. Polaku e ka bindur gjatë stërvitjeve dhe pas paraqitjeve të tij në Superkupën e Spanjës dhe Flik e ka konsideruar atë si më të përshtatshëm sesa Injaki Penja.
Por ky vendim jo vetëm që nuk është përfundimtar, por në fakt do të ndryshojë. Askush nuk e ka të siguruar vendin e titullarit. Ish-trajneri i Bajernit e ka shumë të qartë se nuk ka vend për relaksim apo konformitet dhe se konkurrenca i bën të dy më të mirë dhe mbi të gjitha i sjell përfitime skuadrës.
Shezni ishte titullar kundër Benfikës, por nuk ka asnjë garanci se do të jetë në fushë që nga minuta e parë në fundjavë në La Liga kundër Valencias. Apo kundër Atalantës në ndeshjen e fundit të kësaj faze në Ligën e Kampioneve. Dhe jo vetëm sepse paraqitja e portierit polak në Lisbonë la për të dëshiruar (dy gabime që sollën dy gola), por sepse Flik është i vendosur të hedhë në fushë atë portier që i duket më mirë. Në këtë sezon, ndarja mes portierit fillestar dhe atij zëvendësues nuk duket të jetë aq e qartë sa në sezonet e kaluara.
Trajneri gjerman ishte shumë i qartë, vetëm pak javë më parë, se Injaki Penja ishte portieri i tij i parë. Por kjo qasje ka ndryshuar. Ai beson se Shezni ka rikuperuar nivelin që kërkon porta e Barcelonës. Në këto kushte, trajneri ua ka bërë të qartë të dyve, publikisht dhe privatisht, se as nuk mund ta konsiderojnë veten titullarë dhe as të pushojnë. Ata duhet ta fitojnë vendin e tyre.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"