Pogradeci pa mëshirë, 9 gola Tepelenës. Reagon trajneri Nikaj: I respektojmë më shumë kur u… shënojmë
Pogradeci shkatërron Te pelenën në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, duke e mundur me shifrat 9-0 dhe u rikthyer në vendin e parë për shkak të golavarazhit më të mirë se AF Elbasani. Edhe pse dëbora mungoi dje në qytetin liqenor, pogradecarët shpërthyen një “ortek” golash kundër Tepelenës.
Miqtë rezistojnë 27 minuta dhe pas aksioneve të shumta, vjen goli i parë falë një aksioni të bukur mes Henrikes dhe Shkulakut, ku braziliani shërben bukur për këtë të fundit, që nuk fal përballë portierit.
Nuk vonon goli i qetësisë, teksa në minutën e 43-të, Shkulaku nga e majta pason për Shytin në zonë, i cili nuk e ka të vështirë të çojë sferën në rrjetë për 2-0.
Pjesa e parë sjell edhe një tjetër gol, ku protagonist është Zefi me një krosim të bukur për Henriken brenda zonës dhe braziliani mposht lehtësisht Sundën.
Me shifrat 3-0 mbyllet edhe pjesa e parë. Vetëm dy minuta pas fillimit të së dytës, pogradecarët gjejnë shpejt golin me Alilarin, ku pas një shërbimi të Këndezit sulmuesi godet mirë dhe shënon të katërtin për të tijtë.
Sërish pas dy minutash protagonistë janë Këndezi me Alillarin, me këtë të fundit që nuk falin. Ka vend edhe për një autogol, ku krosimin e Shkulakut në zonë, e devijon në rrjetë Lushkaj. Liqenorët nuk ndalen duke arritur të shënojnë dhe të shtatin, sërish me autor Alillarin, i cili bën tripletë në këtë ndeshje.
Blacëri dhe Cirkoviç vendosën gjithashtu firmën e tyre për triumfin e çmendur 9-0. Në fund ka jo pak irritim te tepelenasit, me “veteranin” Gjyla që u kërkon llogari stafit të liqenorëve për golat e shumtë që shënuan.
NIKAJ – Samuel Nikaj është i lumtur që skuadra ka shpërthyer ndaj Tepelenës me nëntë gola. Në bisedën për “Panorama Sport” pas fitores së thellë, trajneri i Pogradecit foli edhe për debatin që pati me lojtarin e miqve, Viktor Gjyla, në fund të ndeshjes.
“Kundërshtari nuk ishte në nivelin tonë, por ne ia bëmë hyzmetin lojës. Hasëm vështirësi në 25 minuta, por pas shënimit të golit të parë u çliruam. Jam i kënaqur nga lojtarët, edhe pse ka probleme të vogla. Fjalët e Gjylës? Janë momente tensioni. Normalisht që i dhembte humbja dhe kishte rezerva për sa u përket golave të shumtë të pësuar. Por, futbolli s’ka tolerancë. Mendoj se më shumë i respektojmë kur luajmë dhe u shënojmë, sesa kur i mëshirojmë. Unë si trajner edhe kam humbur 7-0, por edhe kam fituar 10-0. Këto ndodhin në futboll. Edhe golavarazhi na intereson, por llogaritë bëhen në fund”, ka thënë Nikaj për gazetën.
REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"