Poçi ose Alijev? Tetova vendos për mbrojtjen në ndeshjen ndaj Partizanit
Egnatia kërkon të ruajë ritmin në këtë fazë të kampionatit dhe të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive. Barazimi i fundit me Dinamon u konsiderua i pranueshëm, edhe pse si ndeshje shtëpie synohej të merrej maksimumi.

Megjithatë, ai 90- minutësh mbetet pas dhe tani skuadra është e fokusuar tërësisht tek ndeshja me Partizanin në kryeqytet. Problemi i vetëm për teknikun Edlir Tetova është mungesa e qendërmbrojtësit Arbenit Xhemajli, i cili do të qëndrojë një javë jashtë për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj bluve. Alternativat nuk mungojnë, por lidhja e krijuar mes Xhemajlit dhe Sotës ka sjellë stabilitet në mbrojtje.
Gjithsesi, pritet që njëri mes Poçit dhe Alijevit të marrë vendin e tij në këtë ndeshje delikate. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ka probleme, dhe duket se nuk do të ketë ndryshime nga sfidat e javëve të fundit, pasi ekipi po funksionon mirë si në lojë ashtu edhe në rezultate.
SFIDA PERSONALE PËR TETOVËN – Edhe pse në futboll thuhet se nuk ekzistojnë sfida personale, për një trajner si Edlir Tetova, ndeshjet ndaj Partizanit duket se kanë gjithmonë një ngarkesë të veçantë. Skuadra e kuqe është kthyer në një “peng” sportiv për teknikun durrsak, që me shumicën e kundërshtarëve ka bilanc pozitiv, ndërsa përballë Partizanit statistikat nuk janë në anën e tij.
Nga 16 ndeshje të zhvilluara deri më tani kundër të kuqve, Tetova ka arritur katër fitore, ka pësuar pesë humbje dhe ka barazuar shtatë here, një bilanc që e vendos këtë duel në një dimension më të veçantë për të. Pikërisht për këtë arsye, ndeshja e së shtunës ka për të shërbyer si një test karakteri, jo vetëm për skuadrën, por edhe për vetë Tetovën, që kërkon të ndryshojë ecurinë e përballjeve me Partizanin. Për më tepër, një fitore në transfertë do të kishte jo vetëm vlerë sportive, por edhe morale, duke e mbajtur skuadrën në rrugën e duhur drejt objektivave madhorë të sezonit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













