“Po rritem si Milani”, Ibra: Me lojtarët jemi miq, ndonjëherë duhet t’i trajtoj “keq”! Fonseka do të na nderojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2024 | 20:54

“Po rritem si Milani”, Ibra: Me lojtarët jemi miq, ndonjëherë duhet t’i trajtoj “keq”! Fonseka do të na nderojë

Zlatan Ibrahimoviç, pas fitores miqë sore në Çikago kundër Real Madridit, ishte i ftuar në programin sportiv “First Take” në ESPN për të folur për turneun e kuqezinjve që do të mbyllet të mërkurën me miqësoren ndaj Barcelonës.

FBL-ITA-SERIEA-AC MILAN-IBRAHIMOVIC

Ndër temat e tjera të cekura ishin amerikanët e Milanit, përvojën e tij si menaxher dhe futbollin në përgjithësi. Në vijim intervista integrale e suedezit.

Cila është gjëja më e vështirë në rolin e ri që po mbuloni?

Unë i njoh djemtë sepse kam luajtur me ta. Tani marr vendime që prekin edhe këta lojtarë, për të ardhmen e tyre. Nuk është e lehtë si ish-shokë të qëndroj mbi ta dhe të marr vendime, shpesh të vështira dhe jo miqësore.

Si ishte kalimi nga lojtar në trajner?

Është një ndryshim, me të cilin përballesh ditë pas dite. Kam shumë për të mësuar. Unë kam përvojat e mia, por tani punoj nga një këndvështrim tjetër. Jam duke punuar me njerëz të aftë, më të mirët dhe ata më bëjnë të ndihem më mirë. Ne jemi një grup i mirë pune dhe jam i emocionuar. Më pëlqen përgjegjësia dhe presioni. Për mua presioni është një kafshatë buke.

Edhe Pulisiçi sikur nuk e ka vuajtur presionin te Milani apo jo?

Mendoj se vitin e kaluar ai pati sezonin më të mirë të karrierës së tij. Unë besoj se kur je i lumtur jashtë fushës, atëherë e përcjelle atë në fushë. Ai pati një sezon të mrekullueshëm, shënoi shumë gola dhe dha shumë asiste. Praktikisht u ndie i lirë, erdhi te ne dhe u tregua për atë që është. Pres që të bëjë edhe më shumë këtë sezon dhe gjithashtu të rritet si lider: ne jemi një skuadër e re dhe kemi nevojë për këta lojtarë me shpirt drejtues për të treguar rrugën për ekipin.

Kjo verë ka sjellë rezultate pozitive…

Erdhëm në Shtetet e Bashkuara me një ekip të ri sepse shumë lojtarë ishin me pushime. Deri më tani skuadra po ecën mirë. Kemi edhe një trajner të ri ndaj duhet kohë që identiteti i tij të asimilohet nga grupi. Duhet të jemi të durueshëm, por tashmë nga dy ndeshjet që kemi luajtur në Amerikë, mund të shohim se skuadra po përmirësohet, skuadra ka filluar të kuptojë idetë e trajnerit.

Pra, jeni besimplotë për të ardhmen?

Kam besim te puna. Sidoqoftë, mbeten miqësore dhe jemi në fazë përgatitjesh. Këto ndeshje janë të shkëlqyera për lojtarët që luajnë ndeshje të mëdha dhe ndaj rivalësh me emër, japin më shumë adrenalinë dhe energji për të bërë atë që cilësohet si puna e vështirë. Tani për tani gjithçka është në rregull.

Ndërkohë, djali juaj Maksimilian do të luajë për Milanin U-23…

Si baba jam shumë krenar dhe i lumtur. Ai ka shumë punë për të bërë. Nuk është e lehtë për të të mbajë mbiemrin tim. Por tani për tani ai ka pasur një mentalitet të fortë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Fati do të kujdeset për të: nëse duhet të ndodhë, do të ndodhë.

Ai po punon shumë, beson shumë në gjithçka bën dhe dëshiron të shkruajë histori dhe për mendimin e tij tashmë është më i mirë se unë (qesh). Jam gjithmonë gati për ta shtyrë dhe për ta ndihmuar, por jo për të qenë shumë mbrojtës: në fund i takon atij të përballojë pasojat e zgjedhjeve të veta. Deri tani jam i lumtur për të.

Si e shikoni kampionatin amerikan tani që nuk jeni më pjesë e tij?

Mendoj se po rritet në drejtimin e duhur, por ngadalë, sepse kur isha këtu mbaj mend, dhe ende vazhdon të jetë ashtu, se MLS ka shumë rregulla për t’u rritur shpejt. Është një proces i ngadalshëm. Por kur bëhet fjalë për lojën, cilësinë, individët, loja po rritet dhe po bëhet gjithnjë e më e mirë. Kupa e Botës në 2026, e cila do të jetë e rëndësishme për vendin dhe për kampionatin amerikan në veçanti.

Besoni shumë te talentet?

Mendoj se kur sjell lojtarë të mëdhenj dhe ata tregojnë cilësinë e tyre, e kupton më mirë se cili është niveli. Në Europë është shumë më i lartë, me gjithë respektin e duhur për MLS. Por ka shumë të rinj që po rriten. Sidoqoftë, unë nuk jam e ardhmja, jam e tashmja.

Do të dëshironit të ishit trajner?

Të jesh trajner nuk është e lehtë. Kur bëhesh trajner pasi ke qenë futbollist, duhet të fillosh nga e para dhe të bësh hap pas hapi, nga një ekip i vogël apo nga ekipi i të rinjve. Për mua, ndërmarrja e këtij hapi do të kishte qenë shumë e madhe. Si lojtar s’kisha shumë kohë të lirë dhe imagjinoni se si do të kishte qenë si trajner. Dhe tani dua ta shijoj jetën në një mënyrë tjetër.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"