“Plas” te Tomori, zv.trajneri Robert Kokalari largohet nga skuadra beratase
Dy humbjet e fundit, ajo mes polemikash në Devoll dhe e fundit në shtëpi me Orikun, kanë bërë që Tomori të zhvlerësohet shumë sa i përket arritjes së objektivit madhor, rikthim në Kategorinë e Parë. Situata nuk është aspak e qetë në kampin beratas.
Pas humbjes së dytë radhazi në kampionat, që ka thelluar distancën me skuadrën kryesuese të Grupit B, është mësuar zyrtarisht se numri dy i pankinës dhe ikona e futbollit beratas, Robert Kokalari, ka dhënë dorëheqjen. Këtë pozicion ai e mori një javë përpara startit të kampionatit. Megjithëse nuk dihen ende shkaqet dhe arsyet e kësaj dorëheqje, që pritet që të mësohet në ditët në vazhdim, sipas burimeve të besueshme pranë ekipit, largimi i Kokalarit ka ndodhur përpara ndeshjes me Orikun.
Pas një debati brenda radhëve të stafit teknik në procesin stërvitor të së enjtes së kaluar, mësohet se Kokalari ka vendosur për largimin e tij. Ditën e ndeshjes me Orikun ka rënë në sy mungesa e tij në pankinë, ndërsa ka qëndruar në tribunën qendrore së bashku me tifozërinë vendëse, duke udhëzuar vazhdimisht futbollistët gjatë lojës. Me fillimin e procesit stërvitor të kësaj jave, është mësuar se vendi vakant i zv.trajnerit do të plotësohet në ditët e ardhshme, ndonëse pa përcaktuar një emër konkret.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"