Plani i kuq për Egnatian, risi dhe një… “balotazh”. Ja si priten të rreshtohen skuadrat
Pasditen e djeshme Partizani ka mbyllur përgatitjet për superndeshjen e kësaj jave kundër Egnatias.Trajneri Veselinoviç ka dhënë edhe udhëzimet e fundit në lidhje me mënyrën sesi do të sulmojë dhe mbrohet kundrejt ekipit të Tetovës. Është një ndeshje mes vendit të parë dhe të dytë, ku diskutohet kreu dhe padyshim ka rëndësinë e vet. Fakti që vjen direkt pas derbit, i gjen disi të ngarkuar fizikisht “demat” për shkak se ndeshja e fundit ishte derbi me Tiranën dhe u luajt vetëm të dielën. Gjithsesi, në kushte të ngjashme në “Arenën e Demave” zbarkon edhe Egnatia, që do të kërkojë me çdo kusht të ruajë ecurinë e javëve të fundit.
GJENDJA E EKIPIT – Gjergji Kote i fiksuar si titullar në ndeshjet e fundit, ka një problem në gisht dhe stafi nuk ka ndërmend ta rrezikojë. E gjithë pjesa tjetër e lojtarëve janë të gatshëm, përfshirë edhe Rrapajn e Hadrojn, që janë drejt shitjes në Ukrainë. Edhe Mehmeti është rikuperuar nga tërheqja muskulore dhe është gati për të luajtur nga minuta e parë.
FORMACIONI – Përveç një dyshimi në sulm, ku gjatë javës trajneri ka provuar disa lojtarë, pjesa tjetër e formacionit duket e fiksuar për këtë ndeshje. Qirko mbetet i palëvizshëm, ndërsa në mbrojtje priten të njëjtat emra si në derbi, duke lënë në stol për të dytën herë radhazi Bytyçin, i cili kishte luajtur titullar thuajse të gjithë sfidat deri në derbi. Në mesfushë Ismaili dhe Rrapaj janë të zakonshëm tashmë, teksa risi përbën rikthimi i Mehmetit. Në sulm priten Mba dhe Cara, teksa ka një balotazh mes Bintsukës, Zekës dhe Kekos për krahun e djathtë.
EGNATIA – Sa i përket situatës te rrogozhinasit, lajmi i mirë është se dy mbrojtësit e krahut, Ndreca dhe Fangaj, rikthehen në dispozicion të trajnerit, pas shlyerjes së pezullimeve për shkak kartonësh. Sakaq, në dyshim për këtë ndeshje është kapiteni Malota, i cili ka vuajtur një problem fizik, që nuk e ka lejuar të stërvitet normalisht.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"