PIKANTETE E ERZENi-DINAMO/ “Mbetën të shtrirë”, Di Biaxho pritet me bidonë në Rrogozhinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2023 | 22:52

PIKANTETE E ERZENi-DINAMO/ “Mbetën të shtrirë”, Di Biaxho pritet me bidonë në Rrogozhinë

Gjuha italiane njihet mirë nga shumica e shqiptarëve dhe disa britma të trajnerit të Dinamos, Luixhi di Biaxho, gjatë ndeshjes së djeshme ndaj Erzenit, kanë revoltuar tifozët shijakas. Bidonët me ujë kanë vërshuar në pankinën blu dhe njëri prej tyre ka prekur në pjesën e krahut trajnerin italian, i cili e mori me sportivitet këtë moment.

dinamo

“Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së luajtur dje në stadiumin e Rrogozhinës, ku Erzeni këtë sezon është pritës.

“Arbitër, arbitër! Lojtarët e Erzenit mbetën duke u shtrirë në tokë! Çfarë po bëhet kështu, vetëm vonesa”, ishin ankesat e Di Biaxhos pak minuta pasi Erzeni kishte kaluar në avantazh në pjesën e parë. Trajneri i Dinamos e tha përsëri këtë ankesë dhe disa tifozë të revoltuar hodhën bidonë në fushë. Njëri prej tyre kapi italianin dhe menjëherë nga tribuna VIP reagoi presidenti i Erzenit, Durim Keçi, i cili kërkoi nga tifozët që të mos hidhnin sende në fushë. Gjithçka u kalua për pak sekonda, ndërsa Di Biaxho e kaloi këtë moment me një të qeshur. Ndërkohë, italiani u ankua tek arbitri i katërt, Laver Alla, bashkë me ndihmësin e tij, Ledian Memushaj, edhe për penalltinë e Erzenit.

* Trajneri i Erzenit, Alfred Deliallisi, të jepte idenë e një lojtari që po bënte nxehje dhe pritej të futej në fushë nga momenti në moment. Për shkak se fanella e tij ngjasonte me atë të Dinamos, arbitri i kërkoi që të vishte një jelek fosforeshentë për të mos u ngatërruar. Kësisoji, Deliallisi veshi një prej jelekëve të lojtarëve dhe gjatë gjithë kohës e mbajti veshur, duke mos e ndërruar deri në fund.

* Nga minuta e 35-të deri në 38-të, loja u ndërpre për shkak të dëmtimit të Albion Markut të Dinamos në një duel me Flavio Meçjën, ndërsa në të njëjtën kohë pati probleme edhe Bekim Maliqi i Erzenit.

* Mesfushori senegalez, Bakari Gudiabi, bëri debutimin me fanellën e Dinamos në ndeshjen kundër Erzenit. Mirëpo, sapo u fut në fushë, kur nuk kishin kaluar as 10 sekonda, ai u ndëshkua me karton të verdhë pas një ndërhyrje të rëndë ndaj kapitenit të Erzenit, Ardit Peposhi.

* Shtatë minuta shtesë u dhanë në pjesën e parë prej ndërprerjeve të shumta të lojës, ndërsa në fund, u akorduan pesë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"