PIKANTET UKRAINË-SHQIPËRI/ Laçi bie në fushë pas goditjes në mjekër, si një palë çorape vonuan startin e ndeshjes
Dueli mes Ukrainës dhe Shqipërisë startoi me afro 5 minuta vonesë. Skuadrat dolën më vonë në fushën e blertë, sepse sulmuesi i Ukrainës, Jaremçuk, u detyrua të ndërronte getat, pasi i kishte të grisura dhe nuk u lejua nga gjyqtari që të luante ashtu.
Sulmuesi ukrainas mori kohën e tij për të veshur një palë geta normale, teksa më pas u dha “OK”-i për startin e sfidës. Këtë moment edhe disa pikante të tjera, “Panorama Sport” i sjell për lexuesit e saj.
* Në pjesën e parë loja u ndal, pasi Qazim Laçi u rrëzua në tokë për shkak se kishte marrë një goditje në mjekër. Ky moment u shfrytëzua nga gjyqtari që të bëhej një pushim, ku lojtarët patën mundësinë të freskoheshin. Më tej u pa që Laçi u fashua te pjesa e mjekrës.
* Silvinjo, ndryshe nga ndeshjet e tjera, nuk ishte veshur me një kostum zyrtar, por trajneri kishte preferuar një veshje të lehtë “casual” për këtë takim. Në një moment u pa që bluza e bardhë që kishte veshur poshtë, ishte e lagur me ujë.
* “Kosova është Shqipëri”, kjo ishte banderola që u shpalos mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Epet Arena” të Pragës. Sa i përket numrin të tifozëve, ishin rreth 2 mijë shqiptarë në mbështetje të Kombëtares kuqezi.
* Një goditje e lirë fitohet afër zonës nga Manaj dhe topin e merr Asllani për ta ekzekutuar. Por Manaj insiston për ta goditur ai dhe për një moment dy lojtarët nuk po merreshin vesh. Në fund Asllani tërhiqet.
* Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, u pa të hynte në fushë menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare të sfidës që Shqipëria fitoi ndaj Ukrainës.
Ai u përqafua me futbollistët e tij dhe pjesëtarët e stafit, por nisi më pas të vraponte edhe drejt lojtarëve ukrainas, pasi kërkonte të takonte njërin prej tyre pas kësaj sfide.
Lojtari në fjalë ishte Oleksandr Zinçenko, një futbollist i cili ka luajtur me të dy klubet, pjesë e të cilëve ka qenë edhe vetë trajneri brazilian, Mançester Siti dhe Arsenal. Të dy me sa duket njihen, pasi shkëmbyen një përqafim shumë miqësor në mesin e fushës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"