Pikantet Flamurtari-Apolonia/ Oliveira nerva te ndërrimi, Idrizi kthehet pas dënimit
– Sinan Idrizi rikthehet në tribunë. Duket se e ka përfunduar dënimin prej 4 ndeshjesh që iu dha prej FSHFsë, pas ndeshjes së famshme me Dinamon. Në stadium ishte edhe presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima. Në krah ai kishte bashkëshorten e tij. Përpara ndeshjes, Idrizi dhe Kokëdhima janë parë duke pirë kafe pranë impiantit.
– Interesim i madh për Flamurtari-Apolonia, por vende të limituara. Por për shkak të dënimit të fushës, delegati Bujar Pregja ka kërkuar të kontrolloheshin listat në hyrje të stadiumit.
– Eqerem Memushi, Gentjan Mezani, Dritan Resuli dhe deputetë të Vlorës, e deri tek Erik Flores kishin rezervuar një vend në tribunë.
– Diego Longo dhe Veljko Dovedan ishin në tension të madh gjatë gjithë kohës, ndërsa dëgjoheshin t’u bërtisnin lojtarëve.
– Në minutën e 22-të, Hamiti nxjerr një karton, por e fut sërish në xhep.
– Në nisje të pjesës së dytë, delegatit Bujar Pregja i duket se ka më shumë tifozë se në pjesën e parë. Pasi sigurohet, jep sinjalin e rifillimit të ndeshjes.
– Stefano Omeri u dëmtua rëndë dhe në një moment u pa teksa vendoste fanellën mbi krahun e lënduar. Nga sot do të shihet gjendja e lojtarit.
– Indio Oliveira nuk e pret mirë zëvendësimin. Nuk shkon në stol, por hyn direkt në dhomat e zhveshjes.
– Në lot lojtarët e Apolonisë në fund të ndeshjes. Maksuti shikohet duke qarë, ndërsa Dovedan i hutuar.
– Diego Longo ka përgëzuar ekipin pas kalimit të kësaj ndeshjeje “play off”-i, por nuk i kurseu as kritikat. Nuk i lejoi futbollistët të hyjnë në dhomat e zhveshjes pasi mbaroi sfida. I mblodhi në fushë dhe evidenton problemet.
“Jam pak i mërzitur, pasi nuk duhet të gabonim. Ndeshjen duhet ta kishim mbyllur më shpejt. Megjithatë, përgëzime edhe për kalimin në finale”, dëgjohej të thoshte trajneri.
Më pas i urdhëron të vrapojnë për 10 minuta rreth fushës. Italiani hyn edhe vetë në vrapim i veshur me fanellën e Flamurtarit dhe zbathur. I pyetur nga “Panorama Sport” nëse ishte dënim, tekniku thotë: “Është për të shkarkuar ngarkesën dhe stresin”.
E.SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"