Pikantet e Vllaznia-Elbasani/ Ultrasit bëhen bashkë si kurrë më parë, sulmuesi i shkodranëve përfundon në spital (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2024 | 22:39

Pikantet e Vllaznia-Elbasani/ Ultrasit bëhen bashkë si kurrë më parë, sulmuesi i shkodranëve përfundon në spital (E PLOTË)

Pati disa momente të veçanta gjatë ndeshjes mes Vllaznisë dhe Elbasanit, ku veçohet qëndrimi bashkë i dy tifo-grupeve ultras të dy skuadrave. Diçka e rrallë kjo për stadiumet shqiptare, ku zakonisht me tifozëve ultras ka probleme. “Panorama Sport” sjell për lexuesit e saj disa nga momentet më pikante të ndeshjes:WhatsApp Image 2024-10-07 at 10.40.19– Moti i paqëndrueshëm ndikoi disi edhe në praninë e tifozëve. Numri i biletave të shitura ishte 3 mijë, që gjithsesi është një shifër e kënaqshme.

– Bekim Balaj gjatë kohës që po futej në fushë të bënte nxemjen me skuadrën e Vllaznisë, has drejtuesit e Elbasanit, presidentin, administratorin dhe drejtorin, me të cilët shkëmben për pak sekonda një bisedë.

– Gjatë nxemjes, njëri prej lojtarëve të Vllaznisë harron këpucët në stadium, ndërkohë që ekipet ishin futur brenda. I gjejnë punëtorët e fushës dhe i dërgojnë te stoli i shkodranëve.

– Ashtu siç pritej, dy tifozeritë ultras, “Tigrat” dhe “Vllaznit”, qëndruan në të njëjtën tribunë. Një rast deri diku unikal ky, teksa edhe banerin e identifikimit e kishin të përbashkët. Kjo tregon marrëdhëniet e mira mes dy tifozërive, që përveç përkrahjes për skuadrat e tyre, nuk i harruan edhe thumbimet për ultrasit e Tiranës.

– Ndeshja nisi me një homazh për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të Kombëtares, Sefedin Braho. Ekipet mbajtën një minutë heshtje në mesin e fushës.

– Bordin pati menduar një skemë që në topin e parë të shkelmuar nga qendra. E nis mesfushori Dros dhe e kthen pas te Musta që ishte shumë më i tërhequr se të tjerët. Thuajse çdo goditje e ndaluar gjatë lojës është ekzekutuar me skema, por asnjëra prej tyre nuk i çoi verdheblutë te goli.

– Trajneri i Elbasanit, Roberto Bordin, detyrohet të mbajë të veshur një jelek të bardhë mbi bluze, duke qenë se kishte të njëjtat ngjyra si uniformat e Vllaznisë. Në pjesën e dytë ai vesh një uniformë bojëqielli të skuadrës.

– Te rasti i ndërhyrjes ndaj Ze Gomesh në minutën e 39-të, në kufijtë e zonës së rreptësisë, portieri Abalora la portën dhe u kërkoi shokëve të skuadrës t’i thoshin arbitrit që ta shohë rastin në VAR. Portieri i verdhebluve dyshonte për një penallti në këtë rast, por në fakt nuk ishte kështu.

– I pafat Matouti, i cili u aktivizua në minutën e 85- të dhe la fushën para kohe pas një dëmtimi të rëndë. Ai u dërgua me autoambulancë në spital për një dëmtim në shpatull. Pasi mori ndihmën e parë në spital, ai u kthye në stadium me shpatullën e fashuar, duke u mbajtur nga mjekët e stafit shkodran.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"