Pikantet e Partizani-Erzeni/ Arbitrave u prishet radioja, fëmijët “pushtojnë” dhomat e zhveshjes
“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes Partizani-Erzeni, e mbyllur me fitoren 4-0 të vendësve në 90 minuta formaliteti. Në stadium dje ishin rreth 600 tifozë, teksa një pjesë e tyre, kryesisht turistë, u larguan pas 45 minutave të para.
* Partizani zgjedh që si asnjëherë tjetër në këtë ndeshje të fundit në shtëpi të luajë me fanellat e bardha, edhe pse të kuqet nuk ndeshen me blunë e Erzenit.
* 16 minuta para startit të ndeshjes i gjithë Partizani hyn në dhomat e zhveshjes, përveç Sotës dhe Rrapajt, të cilët bëjnë nxehje individuale. Gjatë kësaj kohe nuk mungon ngacmimi i Donald Mëllugjës nga kampi i rivalëve, njohje e vjetër e të dyve në kohët e mesfushorit te Partizani. Palët këmbejnë batuta dhe ndahen me të qeshur në mimikën e tyre. Në këtë ndeshje Sota dhe Rrapaj ishin preferuar në tribunë për t’u lënë pushim.
* Ndeshja nuk nis fiks në 16:00 për shkak të një problemi teknik të gjyqtarit Yzeiraj me pajisjet elektronike. Bashkë me dy asistentët ata i nënshtrohen mikrofonimit. Katër ndeshjet e tjera nisin dy minuta para asaj në “Arenën e Demave”.
* Mehmeti gjen golin në ndeshjen e dytë radhazi, por këtë herë nuk feston në respekt të ish-skuadrës së tij. Ishte Erzeni, që e ngjiti në arenën e madhe të futbollit shqiptar, para se Partizani të shpenzonte 100 mijë euro për ta blerë në verën e shkuar.
* Tifozët e kuq një sy e vesh e kanë edhe te ndeshjet e tjera, veçanërisht ato që lidhen me Tiranën. Në një moment në altoparlantin e tyre dëgjohen valët e radios, që komenton ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu, rezultati i së cilës nxjerr Tiranën nga “Final 4”. Më pas vijojnë me vargjet: “O milet, Tirona ka siklet”.
* Ndeshjen e djeshme e ndoqi nga shkallët e stadiumit një figurë që e kemi parë rrallë në ndeshjet e Partizanit, Agustin Torasa. Mesfushori argjentinas ka luajtur në të shkuarën me Partizanin, por edhe Tiranën, ku edhe fitoi titullin kampion.
* Një grup fëmijësh pushtuan për pak çaste tunelet e stadiumit me lutjet e tyre për foto apo fanella të lojtarëve. Probleme hasi më së shumti Atanaskoski, që doli para të gjithëve dhe kishte gjithë vëmendjen.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"