PIKANTET E PARTIZANI-DINAMO/ Te gjithë lojtarët me celularë për të parë golin, Dajën e përshëndesin edhe ultrasit e kuq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2024 | 21:21

PIKANTET E PARTIZANI-DINAMO/ Te gjithë lojtarët me celularë për të parë golin, Dajën e përshëndesin edhe ultrasit e kuq

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të derbit mes Dinamos dhe Partizanit, i mbyllur me shifrat 2-2, pas një loje plot raste dhe spektakël nga të dyja ekipet. Trajneri i ri i Dinamos, Ilir Daja,debuton në këtë rikthim me Dinamon me një barazim “thriller”.

guerrils

* Derbi “i vogël” i kryeqytetit vijon të jetë në plan të dytë nga tifozët. Në ndeshjen e djeshme mes Partizanit dhe Dinamos në”Arenën e Demave” ishin të pranishëm afro 1800 spektatorë. Afro 50 tifozë ishin pozicionuar në sektorin e Dinamos në tribunën përballë. Me siguri pas 90 minutave, ata që nuk ishin në stadium do kenë pasur ndonjë shenjë pendesë që nuk e përjetuan nga afër.

* Asnjë prej dy trajnerëve nuk shfaqet në stadium në momentin e nxehjes. Daja dhe Veselinoviç ia lënë këtë detyrë ndihmësv etë tyre. Në fushë zbresin vetëm në momentin e startit të ndeshjes.

* Presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi, preferon ta shohë ndeshjen në tribunën VIP, pranë bashkëpunëtorëve të tij. Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, gjithashtu ndoqi ndeshjen nga bari i stadiumit.

* Kristian Mba ishte planifikuar të luante titullar, por një fatkeqësi familjare e ka ndalur, për ta nisur nga stoli. Sulmuesi gjatë ditëve të fundit ka humbur përgjithmonë babain e tij. Pavarësisht humbjes, Mba sakrifikoi dhe luajti në pjesën e dytë, edhe pse dhimbja ishte shumë e freskët.

* Daja dhe Veselinoviç kanë një mënyrë të ngjashme të të drejtuarit të skuadrave në pankinë. Të qetë, me udhëzime jo të shpeshta dhe të pozicionuar gjithnjë në një nga këndet e kuadratit të lejuar për ta.

* Në të 67-ën ka një pushim të shkurtër dhe Veselinoviç mbledh lojtarët rreth vetes. Në atë moment Taipi sinjalizon trajnerin se nuk mund të vazhdojë më dhe menjëherë ndihmësit thërrasin Ismailin.

* Ardit Toli debuton me fanellën e Dinamos ende pa u prezantuar në formë zyrtare. Mesfushori zbriti në fushë në minutën e 68-ë në vend të Bruno Ditës. Debutim ka edhe për Naser Alijin, i cili zbret në fushë në vend të Bregut në të njëjtën minutë.

* “Bravo Daja”, dëgjoheshin tifozët pas ndeshjes në tribunën kryesore të stadiumit, duke e shoqëruar me një duartrokitje të ngrohtë. Daja gjithashtu i përshëndet dhe duartroket, duke konfirmuar lidhjen e ngushtë që duket se ka mbetur që nga e shkuara. Në anën tjetër, në sektorin e ultrasve të Dinamos, ishte vendosur një banderole që shkruante: “Mirë se erdhe në shtëpi, Ilir Daja”.

* Pas ndeshjes te Partizani ishin të gjithë me telefona në dorë për të parë pozicionin e Vilës te goli i dytë i Dinamos. Në fund është delegati Sulejmani që i qartëson të gjithë dhe nxjerr pamjet e qarta se goli ishte i rregullt, pasi Bytyçi është më i avancuar se sulmuesi i Dinamos.

* Pas ndeshjes lojtarët e Partizanit konsumojnë darkën te hoteli i klubit, i hapur para pak javësh si një facilitet, që ka zgjidhur një pjesë të madhe të problemeve të klubit me akomodimin dhe dietën e lojtarëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"