Pikantet e Elbasani-Teuta/ Tifozët “zhveshin” Hilën, panik për Ze Gomesh! Vendimet e arbitrit tërbojnë trajnerin Bordin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2024 | 23:04

Pikantet e Elbasani-Teuta/ Tifozët “zhveshin” Hilën, panik për Ze Gomesh! Vendimet e arbitrit tërbojnë trajnerin Bordin (E PLOTË)

Një shi i rrëmbyeshëm nisi në Elbasan një orë para startit të sfidës, duke “trembur” disi edhe tifozët. Megjithatë, pasi startoi sfida shiu pushoi dhe tifozët filluan të mbushnin tribunat me afro 4 mijë të pranishëm. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme në “Elbasan Arena”, ku verdheblutë ktheheshin të luanin në shtëpinë e tyre një sfidë në Superiore pas plot 10 vitesh.

WhatsApp Image 2024-08-26 at 20.56.53

– Frika më e madhe ishte gjendja e fushës, me kryesorin që inspekton më herët gjendjen e saj dhe mjaftojnë disa hapa për të thënë që gjithçka është në kushte perfekte, përpos shiut të rrëmbyeshëm. Përveç ultrasve të Elbasanit, nuk munguan as ata të Teutës.

– Me marrjen në dorëzim të stadiumit nga ana e Bashkisë së Elbasanit dhe klubit, ai ka nisur të ndërrojë “look”. Pankinat ishin mbuluar me logon dhe ngjyrat e klubit elbasanas.

– Sulmuesi Ze Gomesh shkakton panik në kampin verdheblu që në minutën e gjashtë, kur rrëzohet në tokë pas një ndërhyrjeje ndaj tij. Për fat të mirë, pasi merr edhe ndihmën mjekësore, ai ia del të rikthehet në fushë.

– Trajneri Roberto Bordin kërkon shpesh ndihmën e stafit, konkretisht të Hektor Idrizajt, që t’u përkthente lojtarëve në fushë direktivat e tij.

– Dy presidentët, Kujtim Llupa dhe Edmond Hasanbelliu, e panë ndeshjen krah njëri-tjetrit në tribunën VIP të stadiumit. Si gjithnjë, nuk mungoi as kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, i cili ndjek të gjitha takimet e verdhebluve.

– I pranishëm në këtë ndeshje, në tribunën VIP, ishte edhe vetë kreu i FSHF-së, Armand Duka, njëherësh zv.president i UEFA-s. Ai nuk mungoi të ndiqte Elbasani-Teuta si i ftuar nga klubi verdheblu.

– Arbitri Vrapi tërbon trajnerin Bordin për disa vendime në dëm të skuadrës së tij, sidomos për disa faulle të dhëna në favor të Teutës.

– Pas golit të Dros ndizen flakadanët nga ana e tifozëve të Elbasanit, që krijojnë një re tymi, duke detyruar arbitrin të ndalë për disa momente lojën.

– Në fund të ndeshjes, ekipi i Elbasanit bëri përshëndetjen e rastit në të gjitha tribunat e tifozëve, duke marrë duartrokitjet e tyre.

– Ardit Hilën e “zhveshin” tifozët, ku i kërkojnë bluzën, me këtë të fundit që ua plotëson dëshirën dhe heq fanellën e tij.

– Trajneri Roberto Bordin gjen kohën të ngacmojë Hilën pas ndeshjes, duke i kujtuar rastin e humbur përballë Tafasit. Ai bën shenjën e goditjes me parabël dhe e “qorton” mesfushorin, që sipas trajnerit duhet ta zgjidhte ndryshe situatën. Moment që kaloi me të qeshura nga të dy protagonistët.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"