Pikante nga ndeshja e Kupës, Flamurtari-Burreli 2-0/ Vetëm 20 të pranishëm, uniformat u bënë… zhul

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2023 | 15:34

Pikante nga ndeshja e Kupës, Flamurtari-Burreli 2-0/ Vetëm 20 të pranishëm, uniformat u bënë… zhul

Stadiumi ishte bosh në Flamurtari-Burreli. Si rrallëherë në Vlorë, u luajt në një atmosferë të vakët. Veç faktit që ishte ditë pune, u luajt edhe në një orar të papërshtatshëm. Shkallët ishte pa njerëz. Vetëm 10 veta mund të numëroje në tribunën qendrore dhe më pak se kaq në tribunën B. Si për të rrumbullakosur shifrat, po themi që në total ishin 20 tifozë.

FLAMURTAR

– Pjesa e parë e ndeshjes u luajt me mot të keq të shoqëruar me reshje shiu, që pushoi në të dytën.

– Behar Ramadani ishte kapiten i Flamurtarit. Shkodrani zëvendësoi shkodranin tjetër, Denis Pjeshkën, që dje e bëri pushim. Ky i fundit kishte lënë dje si titullar vëllain e tij të vogël, Paulon.

– Fusha ishte në gjendje jo të mirë për shkak të shiut. Ajo ishte kthyer në baltë, aq sa uniformat e bardha të Burrelit në fund ishin tej mase të ndotura.

– Dritan Resuli u besoi dje tre lojtarëve të akademisë. Leshi luajti si titullar, ndërsa Kondaj dhe Haxhiraj morën minuta në pjesën e dytë.

– Pas një mungese më shumë se njëmujore, Antoni Bej rikthehet në fushën e lojës. Ai u aktivizua në minutën e 72-të, duke zëvendësuar Erjon Vucajn.

– Aldo Teqja, Denis Pjeshka, Fabjo Beqja, Eni Imami dhe Aleksandre di Estefano pushuan dje. Ata ishin në stol, por nuk morën asnjë minutë. Stafi teknik vendosi që t’i ruante për Kategorinë e Parë. Këtë fundjavë do të masin forcat me Vorën dhe në kampionat, gabimet janë të ndaluara. Tani që janë të tretët dhe më pranë zonës së ngjitjes, nuk e kanë luksin që të lëshojnë terren. Skuadra që sot do të nisë përgatitjet për javën e 15-të.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"