PESHËNGRTJE/ Toska: Me të huajt i vendosim kazmën sportit në Shqipëri, s’na duhen medalje të tilla

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2024 | 11:15

PESHËNGRTJE/ Toska: Me të huajt i vendosim kazmën sportit në Shqipëri, s’na duhen medalje të tilla

Për herë të parë në historinë e saj Shqipëria do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike pa askënd nga sporti më i suksesshëm i vendit, që është peshëngritja.

LEONARD TOSKA

Një situatë, të cilën e ka komentuar tekniku i Kombëtares së peshëngritjes, Leonard Toska. Shtërmenasi, nga duart e të cilit kanë dalë talente dhe kampionë të mëdhenj, thotë se shtanga kuqezi po mbyll një cikël, por e ka të ardhmen të sigurt, pasi ka shumë sportistë premtues.

“Më vjen keq që për herë të parë nuk përfaqësohemi në Olimpiadë me peshëngritjen. Por ky është një fund cikli, pasi jemi në një moment ndërrimi brezash. Megjithatë, kemi shumë talente për çdo kategori peshe dhe duhet të bëjmë punë të madhe gjatë këtij 4-vjeçari, në mënyrë që pas katër vitesh të kemi një ekip të plotë për të nderuar flamurin në Lojërat Olimpike”, deklaron fillimisht Toska.

TË HUAJT – Në disa sporte, me në krye mundjen, apo edhe në gjimnastikë, ski etj. Shqipëria ka natyralizuar sportistë të huaj, të cilët kanë shënuar rezultate të mëdha. Mjafton të përmendim mundjen, me tituj kampionë Botë apo Europe, teksa 3 rusë të natyralizuar me pasaporta shqiptare do të përfaqësojnë flamurin kuqezi në “Paris 2024”, të cilët madje janë edhe favoritë për medalje. Por sipas trajnerit Toska, afrimi i të huajve nuk i shërben sportit shqiptar, përkundrazi e dëmton atë. Trajneri shtërmenas thotë se peshëngritja është kategorikisht kundër kësaj strategjie, edhe pse ka pasur kërkesa të shumta nga sportistë të huaj për të veshur ngjyrat e Shqipërisë. “Federata Shqiptare e Peshëngritjes, me urdhër të presidentit dhe të kryesisë drejtuese, është në mënyrë kategorike kundër ardhjes së sportistëve të huaj për të përfaqësuar flamurin e Shqipërisë. Ne kemi pasur kërkesa nga një vajzë dhe një djalë, medalistë nga Kolumbia. Gjithashtu kanë ardhur kërkesa të shumta sportistësh nga Uzbekistani, të cilët duan të garojnë për Shqipërinë dhe bëhet fjalë për shtangistë që garantojnë medalje. Por këta sportistë nuk duan të vijnë se i mori malli për të garuar për Shqipërinë, por sepse në vendin tonë është ligji i shpërblimeve nga më të mirët në botë, mos të themi më i miri. Kështu që të huajve u interesojnë lekët dhe është normale kjo punë, por ne si peshëngritje kemi vendosur në mënyrë kategorike mos të marrim të huaj për t’u dhënë pasaporta dhe për t’i futur në garë me flamurin e Shqipërisë”, thotë Toska, i cili më pas shton: “Sportistët e huaj duan të vijnë në Shqipëri, sepse në vendet e tyre marrin nga 12 mijë euro shpërblim, ndërsa këtu marrin nga 300 milionë lekë. Pra, është shumë e lehtë që të marrim nga jashtë, por në këtë mënyrë ne injorojmë sportistët tanë. Nuk mund ne të marrim kolumbianë, të cilët të përfitojnë nga 600 milionë lekë dhe mos të punojmë për sportistët e Shqipërisë. Nëse do të bënim edhe ne si disa federata të tjera, fare mirë i kishim marrë nga jashtë dhe kishim mbaruar punë, por sa na vlen ne kjo gjë?! Nuk është vështirë që të gjesh sportistë, t’i sjellësh dhe të marrësh medalje olimpike, por a i duhen vërtetë sportit shqiptar rezultate të tilla?! Nëse vazhdojmë me këtë strategji, duke marrë nga jashtë dhe duke lënë pas dore sportistët tanë, do t’i vendosim kazmën sportit vendës dhe pas katër vitesh do jemi edhe më keq sesa sot”, deklaron Toska.

MBËSHTETJE PËR TALENTET – Trajneri nga fshati i kampionëve, Shtërmen, thekson së peshëngritja ka plot talente, të cilët meritojnë mbështetje: “Ne kemi një grup shumë të talentuar peshëngritësish, të cilët do të jenë e ardhmja e Shqipërisë dhe gati për Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit. Por sigurisht që duhet bashkëpunim mes Komitetit Olimpik dhe federatës për të bërë projekte në mbështetje të këtyre talenteve. Për të fituar medalje duhet një punë serioze dhe afatgjatë, nga të gjithë, jo vetëm nga trajnerët. Shumë kollaj edhe peshëngritja mund të shkonte në olimpiadë me të huaj siç bëjnë të tjerët, por nuk na vlejnë këto rezultate apo medalje. Ne po përgatisim për të ardhmen sportistët tanë të perspektivës. Ka disa vite që federata po e mbështet këtë brez të ri, në mënyrë që të shkojmë në Olimpiadën me 4 shtangistë shqiptarë, të përgatitur dhe të stërvitur këtu, jo të marrë të gatshëm nga jashtë. Pra, motivi ynë është që të punojmë me djemtë tanë, t’i bëjmë ata kampionë, që të nderojnë flamurin dhe të marrim medalje me ta”, përfundon Toska.

MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"