PESHËNGRITJE U-15/ Enkileda Carja mahnit në Europian, tri medalje ari me 5 rekorde Europe
Enkileda Carja konfirmohet edhe një herë si vajza më e talentuar e peshëngritjes shqiptare. 15-vjeçarja elbasanase ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në Kampionatin Europian U-15 që po mbahet në Kishinau të Moldavisë, teksa i ka dhuruar Shqipërisë 3 medalje të arta, të cilat kanë ardhur me 5 rekorde Europe për këtë grupmoshë. Një formë fantastike nga Carja, e cila është një talent i dalë nga skuadra Elbasanit të trajneres Eglantina Kalemi.
GARA – Enkileda Carja konkurroi në kategorinë e peshave 59 kg, ndërsa futej në garë si favorite kryesore për tu shpallur kampione. Peshëngritësja elbasanase e filloi me këmbë të mbarë, teksa që në provën e parë fiksoi rekord europian në shkëputje me 81 kg. Por nuk u ndal me kaq, pasi në provën e dytë kaloi me sukses plot 84 kg, duke e përmirësuar sërish rekordin, për të hipotekuar medaljen e parë të artë.
Më tej ishte radha e stilit të shtytjes, ku përsëri Carja u tregua fantastike, teksa në provën e parë shënoi rekordin e tretë europian duke ngritur 97 kg, për të përmirësuar atë në provën e dytë, duke realizuar me sukses 100 kg për të siguruar edhe medaljen e dytë të artë. Kështu me 184 kg, Carja bën të sajën edhe medaljen e tretë të artë me një tjetër rekord europian në dygarësh, për të mbyllur një konkurrim fenomenal si kampione e trefishtë me 5 rekorde europiane për moshat U-15. Në fund ishte radha e ceremonisë me flamurin shqiptar kuqezi që u ngjit në shkallën më të lartë të podiumit dhe me himnin shqiptar në sfond.
Kështu pas tri medaljeve të bronzta të fituara një vit më parë në Europianin 2022, Carja tashmë i bën të arta në këtë sezon, duke u konfirmuar si një yll i ri në shtangën shqiptare. Kujtojmë se vetëm disa muaj më parë, Enkileda fitoi edhe 2 medalje bronzi në Kampionatin Botëror të moshave që u mbajt në Durrës.
Shqipëria në Europianin për U-15 dhe për të rinj që po mbahet në Moldavi paraqitet me dy sportistë, teksa pas konkurrimit të Carjes, nesër do të jetë radha për Samoel Rrasën, i cili gjithashtu synon zonën e medaljeve.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"