PESHËNGRITJE/ Kofsha shkon në botërorin e Meksikës pa trajner, vendin e tij e merr Gjoza. Reagon federata: Toskës nuk iu dha viza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2023 | 17:37

PESHËNGRITJE/ Kofsha shkon në botërorin e Meksikës pa trajner, vendin e tij e merr Gjoza. Reagon federata: Toskës nuk iu dha viza

Ka ndodhur sërish. Elez Gjoza, president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, do të marrë “spaletat” e trajnerit në një tjetër eveniment madhor të shtangës. Bëhet fjalë për Kampionatin Botëror për rinj që po zhvillohet në Guadalahara të Meksikës, aktivitet në të cilin Shqipëria përfaqësohet me Ertjan Kofshën. Talenti shtërmenas në botëror nuk ka udhëtuar me trajnerin e tij, Leonard Toskën, por me kreun e FSHP-së, Elez Gjoza.

GJOZA KOFSHA

Federata ka njoftuar se mungesa e trajnerit ka ardhur si rrjedhojë e refuzimit të vizës nga Konsullata e Meksikës, ndërsa sipas FSHP-së janë bërë të gjitha procedurat si për sportistin gjithashtu edhe për teknikun e tij. Në fakt edhe një vit më parë, Kofsha dhe trajneri i tij, Toska, nuk mundën që të merrnin pjesë në Botërorin e të rinjve në Meksikë, për mungesë të vizës, ndërsa FSHP bën të ditur se këtë problem e ka ngritur edhe në Federatën Botërore të Peshëngritjes.

Kjo nuk është hera e parë që presidenti Elez Gjoza merr atributet e trajnerit, pasi ka ndodhur edhe në Lojërat Olimpike që u mbajtën në verën e vitit 2021 në Tokio, eveniment në të cilin kreu i FSHP-së ishte trajner i Briken Caljes, me këtë të fundit që shënoi rezultatin më të lartë më historinë e Shqipërisë në Olimpiadë, duke u renditur në vend të katërt. Për sa i përket refuzimit i vizës për trajnerin Leonard Toska, FSHP ka zbuluar edhe motivacionin e ambasadës, ku thuhet se trajneri është paraqitur pranë konsullatës, ndërsa arsyeja e mos pajisjes me vizë ka ardhur për shkak se Federata e Meksikës nuk kishte vënë në dispozicion në kohë një fletë garancie me vlerën e 99.300 eurove.

GARA – Ertjan Kofsha është përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Kampionatin Botëror për të rinj, event që po behet që prej datës 15 nëntor në Meksikë. Talenti kuqezi do të konkurrojë në Baterinë A të peshave 89 kg, ndërsa gara e tij në këtë aktivitet që është në orën e para të datës 21 nëntor, në orën 01:00 pas mesnate me të Shqipërisë. Ndonëse, vetëm 18-vjeç, më i vogli në moshë nga të gjithë rivalët, Kofsha është favorit për medalje, ndërsa ka bërë edhe deklarimin më të lartë me 351 kg në dygarësh.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” disa ditë më parë, peshëngritësi nga Shtërmeni theksoi se synimi i tij në këtë kompeticion mbetet zona e medaljeve. “Ndonëse gara është shumë e fortë, nuk i trembem kurrsesi asnjë rivali. Lufta do të jetë e fortë, por unë kam besim të madh që do t’ia dal. Edhe pse do të jem më i vogli në moshë botërorin e të rinjve, do të tregoj se forca ime është e madhe. Do synoj medalje, pasi ky është objektivi im dhe do t’ia arrij qëllimit me çdo kusht”, deklaroi ndër të tjera Ertjan Kofsha.

ARTIN LESHAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"