PESHËNGRITJE/ Kofsha shkëlqen në Spanjë, bronz në Botërorin e të rinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2024 | 9:12

PESHËNGRITJE/ Kofsha shkëlqen në Spanjë, bronz në Botërorin e të rinjve

Ertjan Kofsha ka shënuar një tjetër rezultat të shkëlqyer në arenën ndërkombëtare të peshëngritjes për moshat.

Ertjan Kofsha, gjatë garës së djeshme në Spanjë

Ertjan Kofsha, gjatë garës së djeshme në Spanjë

19-vjeçari nga Shtërmeni fitoi dje medalje bronzi në Kampionatin Botëror për të rinj që po mbahet në Leon të Spanjës. Talenti i shtangës shqiptare bëri paraqitje shumë të mirë në këtë aktivitet, duke spikatur sidomos në stilin e shkëputjes, aty ku u rendit në vendin e tretë, ndërsa shtytjen dhe dygarëshin e mbylli në vend të pestë. Rezultate premtuese këto në një kompeticion me rivalitet të lartë, ku garonin talentet e shtangës botërore. Kofsha ishte përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në këtë kompeticion, ndërsa mbetet për t’u theksuar se peshëngritja shqiptare po kalon momentin më të keq me të rriturit, ku për herë të parë në histori nuk u përfaqësua në Lojërat Olimpike.

GARA – Ertjan Kofsha u ngjit pasditen e djeshme në pedanë në Baterinë A për peshat 96 kg. Peshëngritësi i Shqipërisë e filloi stilin e shkëputjes, duke ngritur me sukses 156 në provën e parë. Kofsha i shtoi edhe 5 kg kësaj peshe në tentativën e dytë, duke realizuar sërish me sukses edhe peshën 161 kg. Më pas provoi me 163 kg, pa mundur ta kalojë. Kështu me rezultatin 161 kg, peshëngritësi kuqezi arrin vendin e tretë, duke varur në qafë medaljen e bronzit në shkëputje. Më tej ishte radha për stilin e shtytjes. Kofsha e nisi mbarë duke ngritur 191 kg, por më pas dështoi me 195 dhe 197 kg, për ta mbyllur këtë stil në vendin e pestë. Ndërkohë me 352 kg në total, shtangisti shtërmenas u klasifikua në vendin e pestë edhe në dygarësh. Në kategorinë 96 kg, japonezi Masashi Nishikaua u shpall kampion bote për të rinj në shkëputje me 171 kg dhe në dygarësh me 366 kg. Ndërsa në shtytje medaljen e artë e fitoi kolumbiani Sergio Munoz Rios me 198 kg.

SHPËRBLIMI – Me paraqitjen e tij në botërorin e të rinjve, Ertjan Kofsha është futur edhe në zonën e shpërblimeve financiare që parashikon legjislacioni shqiptar. Peshëngritësi kuqezi do të përfitojë gjithsej 15.9 milionë lekë të vjetër nga rezultatet e shënuara dje në Spanjë. 12 milionë për medaljen e bronzit në shkëputje, 3 milionë për vendin e pestë në shtytje dhe 900 mijë lekë të vjetër për vendin e pestë në dygarësh. Gjithashtu shpërblim do të ketë edhe për trajnerin Leonard Toska, i cili sipas ligjit merr 40% të shumës së sportistit, pra 6 milionë e 360 mijë lekë të vjetër. Kështu sportisti dhe trajneri marrin shpërblimin e merituar për punën e jashtëzakonshme që çdo ditë bëjnë në palestrën e Shtërmenit. Tashmë në shënjestër të Kofshës do të jetë Europiani i të rinjve, event që do të mbahet pas një muaj në Poloni.

MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"