PESHËNGRITJE/ Kofsha nuk “ndez” në Bullgari, Europiani dështim për Tabakun
Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes vijon garat në Kampionatin Europian që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, teksa të shtunën dhe të dielën ka pasur dy konkurrimet e radhës, por pa mundur që të lerë shumë gjurmë.
Kështu gara e parë ndërkombëtare e Ertjan Kofshës me të rriturit nuk ka shkuar ashtu sikurse talenti shtërmenas shpresonte. 18-vjeçari garoi të shtunën në Baterinë A të peshave 89 kg, duke i dështuar të tria provat në stilin e shkëputjes, përkatësisht një me 155 dhe dy me 158 kg. Ndërsa në shtytje ngriti 185 kg, për të dështuar me 187 kg, duke u renditur në vend të nëntë. Kështu Kofsha nuk mundi të klasifikohej në dygarësh, ashtu sikurse Ermand Tabaku në garën e sotme në kategorinë e peshave 96 kg. Tabaku dështoi tri provat me 150 kg në shkëputje, ndërsa nuk u fut fare në shtytje.
Garat e Shqipërisë do të mbyllen nesër me konkurrimin e Albert Metës dhe Franko Ferrës në peshat 109 kg. Kujtojmë që Kombëtarja e shtangës deri më tani ka fituar 2 medalje argjendi me talentin Kristi Ramadani dhe një tjetër të argjendtë me një ekspert si Erkand Qerimaj, rezultate këto që janë shënuar në një peshë jo-olimpike, në kategorinë 81 kg.
Ndërsa Briken Calja, i cili ndoqi ëndrrën olimpike, duke zbritur në kategorinë 73 kg, regjistroi dy vende të pesta në shtytje dhe dygarësh, si dhe një vend të shtatë në stilin shkëputjes.
KOMBËTARJA SHQIPTARE NË EUROPIANIN E SHTANGËS
Briken Calja 73 kg
148 kg në shkëputje, vendi i shtatë
180 kg në shtytje, vendi i pestë
328 kg në total, vendi i pestë
Erkand Qerimaj 81 kg
155 kg në shkëputje, medalje argjendi
180 kg në shtytje, vendi i gjashtë
335 kg në total, vendi i katërt
Kristi Ramadani 81 kg
151 kg në shkëputje, vendi i katërt
190 kg në shtytje, medalje argjendi
341 kg në total, medalje argjendi
Ertjan Kofsha 89 kg
Dështon 3 prova në shkëputje
185 kg në shtytje, vendi i nëntë
Nuk klasifikohet në dygarësh
Ermand Tabaku 96 kg
Dështon 3 prova në shkëputje
Nuk futet në shtytje
Nuk klasifikohet në dygarësh
Albert Meta 109 kg B
(19 shkurt, ora 09:00)
Franko Ferra 109 kg B
(19 shkurt, ora 09:00)
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"