PESHËNGRITJE/ Calja, Qerimaj dhe Ramadani “ndezin motorët” për Botërorin
Në Manama të Bahrejnit, nga data 6 deri më 15 dhjetor do të mbahet Kampionati Botëror i Peshëngritjes. Në këtë eveniment madhor të shtangës do të përfaqësohet edhe Shqipëria, e cila do të garojë me tre sportistë.
Ngjyrat e flamurit kuqezi në Behrejn do t’i mbrojnë Briken Calja, Erkand Qerimaj dhe Kristi Ramadani. I pari që do të konkurrojë në Botëror do të jetë Calja. Peshëngritësi nga Shtërmeni, i cili ka deklaruar 345 kg, do të konkurrojë më datë 9 dhjetor në Baterinë A të peshave 73 kg, me garën që nis në orën 18:00. Një ditë më vonë, më 10 dhjetor do të jetë radha për Qerimajn dhe Ramadanin, të cilët do të konkurrojnë në Baterinë B të peshave 81 kg. Qerimaj ka deklaruar 352 kg, ndërsa Ramadani 341 kg dhe pritet një garë interesante në këtë bateri. Theksojmë që si kategoria 73 kg ku farin Calja, gjithashtu edhe ajo 81 kg ku do të jenë Qerimaj e Ramadani, janë kategori peshat me pjesëmarrje dhe konkurrencë të lartë.
GJOZA, NË KONGRES – Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF) mbajti dje në Manama të Bahrejnit Kongresin e Zakonshëm Botëror. Në asamble ishte e pranishme edhe Shqipëria, që u përfaqësua nga presidenti Elez Gjoza dhe sekretarja Ilva Alushaj. FSHP-ja njofton se në kongres u trajtuan ndryshime kushtetuese, rregullore dhe përgatitjet për Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që do të nisë nesër.
FSHP-ja gjithashtu bëri të ditur pak ditë më parë se në Shqipëri do të mbahet edhe Kampionati Europian i Masterave, që do të zhvillohet nga data 2 deri më 10 maj 2025 në vendin tonë. Ky kampionat, jo vetëm që do të kontribuojë në zhvillimin e peshëngritjes në nivel kombëtar, por do të përforcojë gjithashtu imazhin e Shqipërisë si destinacion për sportet ndërkombëtare.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"