Pesë lojtarë verdheblu me probleme, ndalesa ndihmon Elbasanin
Ndalesa e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares ka ardhur në momentin kur Elbasani kishte më shumë nevojë.Jo vetëm për faktin që të kenë më shumë kohë për të reflektuar rreth humbjes me Dinamon, sepse në klub nuk pretendojnë se do ta mbyllin kampionatin me asnjë humbje, por më shumë për shkak të problematikës me dëmtimet.
Në asnjë nga këto tri ndeshje të para të kampionatit trajneri Bordin nuk e ka pasur grupin të plotë. Mjafton të thuhet se ndaj bluve munguan plot 5 lojtarë për arsye dëmtimesh si, Telushi, Hakaj, Ze Gomesh, Greca dhe Azemoviç, të cilët e panë sfidën nga tribuna. Një ndalesë e shkurtër, që nga ana tjetër do t’ua japë mundësinë edhe dy afrimeve të fundit të merkatos që të harmonizohen me grupin dhe pse jo, të jenë gati për sfidën e radhës me Laçin, që do të luhet në “Elbasan Arena”.
SITUATA ME DËMTIMET – Ai që po shqetëson më shumë është mbrojtësi Emir Azemoviç, i cili është dëmtuar rëndë në stërvitje dhe paraprakisht mësohet se bëhet fjalë për këputje të ligamentit. Një dëmtim që pritet ta mbajë disa muaj jashtë fushave, në një kohë që malazezi nuk e kishte bërë ende debutimin me verdheblutë këtë edicion. Ai është një lojtar që nuk do të llogaritet për një kohë të gjatë.
Një humbje jo e vogël edhe për faktin se bëhej fjalë për futbollistin që ka edhe vlerën më të lartë në treg në kampin verdheblu, një tregues edhe për cilësitë e tij në fushë. Më e qetë paraqitet situata me katër të tjerët, teksa Telushi me Hakajn gjithashtu nuk kanë bërë debutimin për arsye dëmtimi, por gjatë ditëve të fundit janë ingranuar me ekipin në stërvitje, edhe pse jo ende me intensitet të plotë. Për dy sulmuesit Greca dhe Ze Gomesh, të cilët munguan kundër Dinamos, gjasat janë që me Laçin të rikuperohen. Me pak fjalë, janë katër futbollistë që periudhë do ta shfrytëzojnë në maksimum për të qenë gati. Dhe janë lojtarë që janë për të qenë titullarë.
AFRIMET E REJA – Verdheblutë orët e fundit të merkatos afruan sulmuesin kamerunas, Blaise Tsague, i cili ka ardhur të bëjë “pykën” dhe i duhet pak kohë për t’u përshtatur me skuadrën. Këto ditë do të jenë intensive për të që të kapë ritmin e skuadrës dhe të ingranohet pak e nga pak me pjesën tjetër të grupit. E njëjta gjë vlen edhe për portierin ganez Razak Abalora, i cili gjithashtu kërkon kohën e tij për t’u përshtatur. Pa llogaritur më pas afrimet e shumta në merkaton e verës, ku sa më shumë kohë të jenë me njëri-tjetrin, aq më shumë mundësi kanë për t’u “shkrirë” me skuadrën. Këto ditë duket se do të jenë “zjarr” për verdheblutë, të cilët kanë si objektiv të rikthehen menjëherë te fitorja, duke shpresuar edhe te plotësimi i grupit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"