“Përmes Ligës së Europës kapim Champions-in”, Alegri: Presim vendimin, pastaj 100% te Sportingu
“Me të dalë vendimi nesër (sot) dhe do të mësojmë rezultatin, do të përqendrohemi te ndeshja kundër Sportingut. Me ta mësuar vendimin do ta lëmë mënjanë dhe do të mendojmë për ndeshjen. Është një sfidë e rëndësishme dhe jo e thjeshtë, sepse Sportingu ka eliminuar Arsenalin”. Është ky qëndrimi i trajnerit Masimiliano Alegri.
Juventusi sfidon Sportingun sot në Lisbonë dhe do të kërkojë biletën në gjysmëfinalen e Ligës së Europës duke mbrojtur në “Alvalade” fitoren minimale në Torino. Por për bardhezinjtë është e pashmangshme që të mos mendojnë për verdiktin që do të vijë nga Roma.
I takon Alegrit, por edhe psikologut, për të mbajtur skuadrën të përqendruar te Sportingu.
“Amorim ka një skuadër teknike. Në ndeshjen e parë më befasoi qendërsulmuesi Çermiti. Duhet të përballemi me Sportingun sikur të ishte një ndeshje teke, pa menduar për atë që ndodhi në Torino. Është e paimagjinueshme për të mbrojtur fitoren 1-0 të ndeshjes së vajtjes dhe synuar një 0-0. Do të duhej edhe fat, por duhet të mbrojmë më mirë”, tha tekniku bardhezi.
Ai konfirmoi rikthimin e Sheznit mes shtyllave pasi u ndie keq në ndeshjen e një jave më parë, ndërsa rikthehet edhe Aleks Sandro në mbrojtje. Por mbetet dyshimi për treshen e sulmit. Sigurisht që trajneri nga Livorno do të hedhë në fushë arsenalin më të mirë që ka në dispozicion:
“Një nga dyshimet është Kieza dhe tjetri në mesfushë. Nuk ka nostalgji për Ligën e Kampioneve. Liga e Europës është e rëndësishme dhe duke e fituar do të na lejonte që të merrnim me vete në shtëpi një trofe dhe kualifikoheshim në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Por të fitosh është diçka e jashtëzakonshme dhe aspak e thjeshtë apo e mirëqenë. E kuptoj gjithsesi që Juventusi pas 9 vitesh fitore e kishte bërë diçka të tillë një gjë normale”, nënvizoi Alegri.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"