Pele tradhton Brazilin: Do doja të luaja me Mesin, lojtari më i kompletuar i momentit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2019 | 10:59

Pele tradhton Brazilin: Do doja të luaja me Mesin, lojtari më i kompletuar i momentit

Perla e Zezë, Zoti i të gjitha stadiumeve, “O Rei”. Shumë, shumë pseudonime nuk janë të mjaftueshme për të shprehur se çfarë do të thotë Edson Arantes do Nashimento: Pele. Gazetari Armando Noguetra thoshte se nëse Pele nuk do të lindte njeri, do të kishte lindur top. Pavarësisht se ka varur këpucët në gozhdë në 1977-ën te Nju Jork Kozmos, shumë nga arritjet e tij nuk kanë mundur të barazohen. 

Pele Mesi

Debutoi 16 vjeç te Santosi, skuadra ku u bë i famshëm dhe qëndroi deri thuajse 34 vjeç; më pak se 17 debutonte me Brazilin, më pak se 18 fitoi të parin nga tre botërorët. Sipas regjistrave të ekspertëve të ndryshëm, totali i golave të realizuar arrin kuotën 1281. Sot, 79 vjeç, pasi ka kaluar probleme të ndryshme shëndetësore, është intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”.

Më 19 nëntor mbushen 50 vite nga goli juaj i 1000-të, i shënuar kundër Vasko de Gamës në 1969-ën në “Maracana”… 

Po, bëhet fjalë për së paku disa gjenerata… Përpara se të godisja atë penallti, dridhesha, kisha frikë të gaboja. Ishte e tepërt përgjegjësia mbi mua. Do të ishte më mirë të kisha shënuar nga aksioni. I kërkova Karlos Albertos ta godiste dhe m’u kthye: “Jo, do ta godasësh ti”. Të gjithë lojtarët e tjerë të Santosit u vendosën në mesfushë për të pritur goditjen dhe mendova: “Po nëse portieri e pret, nëse gaboj, nëse godas shtyllën, nuk do të kem askënd pranë”. Por e shënova. Dhe fusha u popullua me njerëz.

 Në 2020-ën mbushni 80 vjeç. Do të ketë ndonjë eveniment të veçantë si në 1990-ën kur luajtët për Brazilin kundër pjesës tjetër të botës në Milano?

Ende nuk e di. Varet edhe nga gjendja shëndetësore, kjo është gjëja më e rëndësishme për momentin. Gjatë viteve të fundit u jam nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale, pesë apo gjashtë në total. Duket sikur Zoti më thotë: “Pele, të dua shumë, por tani është momenti të paguash llogarinë” (qesh).

Cilët janë lojtarët më të mirë në botë sot? 

Dikur gjendeshin dy apo tre në çdo vend me kulturë futbolli: Euzebio, Bekenbauer, Krojf, Maradona, Garinça, Didi. Ishin shumë… Sot janë dy apo tre në total: Mesi, Kristiano Ronaldo, Nejmar.

Mendoni se “O’Ney” mund të fitojë ende një Botëror me Brazilin? 

Shpresoj që po, uroj që në Botërorin e ardhshëm të jetë në formë të mirë fizike. Shumë e kritikojnë. Edhe unë e kam kritikuar disa herë, por vetëm sepse është produkt i Santosit dhe i dua të mirën.

 Nëse do të zgjidhnit një nga lojtarët aktualë për të luajtur përkrah tij, i cili do të mund të përshtatej më së miri me lojën tuaj, cili do të ishte? 

Mendoj se Leo Mesi. Është një lojtar i jashtëzakonshëm, driblon, jep asiste, shënon. Nëse do të ishim në skuadër së bashku, kundërshtarët do të duhet të shqetësoheshin për dy lojtarë, jo vetëm një (qesh)! Sot Mesi është lojtari më i kompletuar.

Racizmi po njollos futbollin. E ndoqët rastin e Balotelit në Veronë dhe të brazilianit Taison në Ukrainë? 

Çfarë mund të bëhet kundër racizmit në futboll: duhet ndalur ndeshja dhe të riniset kur koret të kenë mbaruar? Për fat të keq, këto çështjet e racizmit nuk i kuptoj… Jemi të gjithë njerëz të gjallë. Askush nuk është më mirë apo më keq se tjetri. Është problem zilie, pabarazie. Nuk mendoj se do të ishte mirë që gjithçka të binte mbi skuadrën, duke akorduar humbje në tavolinë apo pikë penalizimi: nuk mund të dënohet klubi për tifozët.

 Sa do të vlente sot kartoni i Pelesë?

E kam thënë edhe më parë: nuk do të kishte çmim. Nuk do të ishte e mundur t’i vendosej një vlerë.

Çfarë mendimi keni për përdorimin e VAR-it në futboll?

Është disi i paqartë. Shpikjen e konsideroj pozitive, por aplikimi më krijon paqartësi.

 Gabigol po shkëlqen te Flamengo. Mendoni se do të mund të rikthehet në futbollin europian?

U njoh në botë me fanellën e Santosit, shkoi në Europë, u rikthye. Është një lojtar i mirë, shpresoj të ketë fat në të ardhmen. Megjithatë, nuk ka garanci se do të shkëlqejë në Europë.

Përgatiti: LEDIO NASE – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"