Pedri: Ksavi na kushton rëndësi, nuk ha dot kroketat e mamasë
Mesfushori i Barcelonës, Pedri Gonzalez, është kthyer në një nga sportistët kryesorë në skenën e futbollit spanjoll. Mesfushori, nga ishujt Kanarie, i cili ka mbyllur sezonin e tij të tretë me Barçën, ka fituar Ligën e tij të parë me katalanasit.
Gjatë një interviste për revistën “GQ”, Pedri ka prekur shumë tema, që nga marrëdhëniet me trajnerin Ksavi, deri te dieta e kujdesshme që e ka detyruar të heqë dorë dhe nga gatimet e mamasë.
“Ksavi është shumë i vetëdijshëm për mua. Unë luaj në të njëjtin pozicion që ai ka luajtur si lojtar dhe kjo tregon shumë. Ai e ka përjetuar nga brenda dhe tani e sheh nga jashtë dhe mund të më shpjegojë çdo gjë në fushë. Gjithnjë më udhëzon se çfarë do të bëj në fushë, si të lëviz, si të shoh drejt portës kundërshtare. Udhëzimet e tij janë shumë të vlefshme, sepse mund të llogarisë çdo veprim timin duke qenë një hap para kundërshtarit”, tha Pedri.
Por, edhe pse ka vlerësuar maksimalisht trajnerin e tij Ksavi, idhulli i Pedrit është një tjetër magjistar i mesfushës së Barcelonës dhe Spanjës, Andres Iniesta. “Iniesta është pika ime e referimit. Më pëlqen të shoh shumë ndeshje të tij, veçanërisht në Europë. Prej lojtarëve si puna e tij vetëm mund të mësosh”, nënvizoi Pedri. Një nga pengesat e vetme të Pedrit në këto tri vite në Barcelonë kanë qenë dëmtimet e shpeshta. Vetë mesfushori ka pranuar se tani po tregohet i kujdesshëm me dietën për të shmangur pikërisht dëmtimet. “Për të shmangur dëmtimet kam nisur të jem më i kujdesshëm me ushqimin. Nuk është se ushqehesha joshëndetshëm, por tani po ndjek një dietë të mirëpërcaktuar. Për fat të keq nuk ha as kroketat e mrekullueshme që bën mamaja ime…”
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"