Partizani humb mbrojtësin Rexhepi, ja ndryshimet në formacionin e “demave”
Fitorja 2-0 me Kastriotin bëri që Partiza ni të thellojë distancën me Kukësin, por të kuqtë nuk kanë dalë pa pasoja nga ky takim. Në minutën e 28-të ndeshjes, trajneri Gega bëri një zëvendësim të detyruar, pasi mbrojtësi Lum Rexhepi pësoi një tërheqje në kofshë.
Për të mos e agravuar lëndimin, 26- vjeçari i kërkoi trajnerit që ta zëvendësonte. Nën përkujdesin e stafit mjekësor, Rexhepi ka kryer ekzaminimet e dëmtimit që mori ndaj Kastriotit, ku në fund është konfirmuar se mbrojtësi pritet të mos jetë i gatshëm për transfertën e Laçit. Sipas ekzaminimit mjekësor, lojtari ka pësuar një tërheqje muskulore të gradës së parë, ndaj i duhen rreth 10 ditë kohë që të riaftësohet plotësisht.
Për momentin, Rexhepi mbetet jashtë planeve të trajnerit për ndeshjen me Laçin. Pas suksesit me Kastriotin, Gega e pranoi se dëmtimi i mbrojtësi nuk përbën problem të madh, pasi stoli është i plotë dhe alternativat nuk mungojnë. Në mungesë të Rexhepit, gjasat janë që ndaj Laçit të luhet me atë formacion që Partizani vijoi në fushë pas daljes nga loja të mbrojtësit 26-vjeçar. Me shumë mundësi, Atanda kthehet në qendër të mbrojtjes, ndërsa Kote shikohet si një alternativë për të qenë pranë Telushit më mesfushë.
Referuar eksperimentit në Kupë ndaj krutanëve, në vend të Rexhepit mund të luajë edhe Ibrahimi, ndërsa Idrizaj në të djathtë të mbrojtjes dhe Atanda në rolin e ri, që ka marrë pas dëmtimit të Hilës.
Gjithsesi, trajneri Gega dhe stafi i tij kanë kohë për të vendosur për formacionin anti-Laç, pasi vetëm dje ka nisur puna për transfertën kurbinase, takim i cili do të luhet të dielën e 17 shkurtit.
ILIR CARA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"